Stema ishte e mbuluar me letër-ngjitëse

Krstimir Pantic pohon se në dokumentin e betimit janë mbuluar me letër-ngjitëse Simbolet e Shtetit të Kosovës. Prandaj, ai thotë se ka refuzuar ta nënshkruajë atë si Kryetar i Mitrovicës së Veriut. Me këtë veprim, praktikisht s'e ka verifikuar mandatin e tij.

Lajme

12/01/2014 15:01

Krstimir Pantic ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Fonet se në dokumentin e betimit, i cili i është ofruar që ta nënshkruajë, ka qenë e mbuluar me letër-ngjitëse Stema dhe Mbishkrimi i Republikës së Kosovës.

Dhe për këtë arsye ai ka thënë se nuk ka pranuar të nënshkruhet në atë dokument.

Pantic me këtë veprim praktikisht nuk e ka verifikuar mandatin e tij si Kryetar Komune, gjë e obligueshme me Ligj.

Mosdhënia e betimit mund të përsërisë zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Siç raporton Fonet, përveç Panticit, dokumentin e betimit nuk e kanë nënshkruar edhe dy këshilltarë komunalë të “Listës Serbe”.

Ndërkohë, Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me seancën konstituive të Veriut të Mitrovicës pritet të bëhet nesër, pas prezantimit të raportit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.