Sporti si forcë kryesore e Kosovës, Krasniqi: Koha për investime të mëdha në infrastrukturë
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar vitin 2025 si një periudhë të rëndësishme për sportin kosovar. Ai ka theksuar se, përveç rezultateve të vazhdueshme në sportet individuale, është shënuar progres i dukshëm edhe në sportet ekipore. Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi ka folur për sukseset sportive, organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare,…
Sport
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar vitin 2025 si një periudhë të rëndësishme për sportin kosovar. Ai ka theksuar se, përveç rezultateve të vazhdueshme në sportet individuale, është shënuar progres i dukshëm edhe në sportet ekipore.
Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi ka folur për sukseset sportive, organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës dhe rolin e sportit në promovimin e imazhit të Kosovës.
“Përveç sukseseve që i kemi pasur individuale në xhudo, në karate, në boks e nëpër federata të tjera, kemi suksese edhe në sporte ekipore, ku kemi pasur edhe synim si Komitet Olimpik edhe si shtet, sepse e dimë që federatat ekipore janë më të vështira edhe kanë kosto më të madhe. 2025-ën kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm sa i përket futbollit, ku Kosova tash edhe shkoi në play-off për kualifikime për botëror, urojmë që edhe në mars kur edhe fillojnë edhe lojërat tjera për kualifikime me Sllovakinë dhe me Turqinë, të kemi fat edhe të kualifikohemi në Botëror, që do të ishte historike, ngjarje shumë e madhe. Edhe gjithashtu hendbolli, ku mori pjesë në kampionatin botëror në U19. Gjithashtu volejbolli është duke ecur shumë përpara. Pra kjo është një dëshmi që edhe sportet ekipore kanë filluar të ngriten dhe kjo na bën krenarë përveç sporteve individuale, ku e dimë që në xhudo kemi pasur rezultate mjaft të mira në kampionate evropiane dhe botërore”, tha Krasniqi.
Kreu i KOK-ut ka folur edhe për ambiciet e Komitetit Olimpik të Kosovës në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive. Ai ka bërë të ditur se synimi kryesor është marrja e sa më shumë organizimeve evropiane dhe ndërkombëtare, duke e parë këtë si një mënyrë për forcimin e pozitës së Kosovës në sportin botëror.
“Ka qenë synimi imi kryesor që të marrim sa më shumë organizime të tilla, evropiane, po edhe pse jo botërore në të ardhmen. Ende nuk i kemi kushtet ndoshta të organizojmë ngjarje më të mëdha, mirëpo me marrjen e Lojërave Mesdhetare, ky ka qenë edhe qëllimi, që të ndërtojmë infrastrukturën sportive. Me Lojërat Mesdhetare i hapet një derë shumë e madhe për të gjitha federatat sportive. Impakti i shtetit të Kosovës përmes lojërave është impakti më i mirë që mund t’ia prezantojmë botës për Kosovën. Po shihet, patëm kampionatin botëror të e-sport, ku erdhën shumë shtete. Tash së fundi e patëm kampionatin evropian të Taekëondos në Prishtinë ku vlen të ceket që edhe shteti i Rusisë ishte prezent, ishte prezent me flamurin e Rusisë. Kjo i bie që shteti rus e pranoi Kosovën në një farë mënyre. Kjo është diplomacia sportive që shteti jonë duhet ta shfrytëzojë”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar që shteti të bëjë një strategji të veçantë për organizmin eventeve të mëdha sportive duke theksuar se sporti po shërben si një nga mjetet më të fuqishme për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Unë mendoj që duhet të bëhet një strategji sa i përket organizimeve. Sepse kemi pasur pak probleme edhe në federata sepse nuk kanë guxim federatat, sepse ajo kushton. A e di çfarë pozite del një federatë sportive nëse e merr një organizim edhe dështon? E humb kredibilitetin komplet në federatën botërore apo evropiane. Shënohet me vijë të zezë emri i Kosovës për organizime të tjera në atë federatë. Ajo ndikon edhe në federatat e tjera, sepse federatat ndërkombëtare janë të lidhura me njëra-tjetrën. Edhe ata e dinë kur dështojnë federatat. Për këtë arsye unë brengën kryesore e kam edhe maksimumin e jap edhe unë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës për Lojërat Mesdhetare. Si do t’i organizojmë? Ne duhet të jemi shembull. Duhet të jemi shembull që lojërat mesdhetare 2030 të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm”, vijoi tutje Krasniqi.
Gjithashtu Krasniqi ka theksuar se viti 2026 duhet të jetë vendimtar për nisjen e ndërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës sportive në funksion të Lojërave Mesdhetare, pasi koha deri në vitin 2030 është e kufizuar.
“Është obligative që 2026-ta të fillon, sepse nuk kemi kohë më… Objektet sportive duhet kohë, të bëhet projekti i tyre, të ndërtohet, edhe të vjen në funksion. Kjo kërkon kohë. Ne nuk kemi kohë të humbim. 2026-ta duhet të jetë vit vendimtar i nisjes të objekteve të reja të cilat janë paraparë të bëhen, por edhe ato të cilat duhet të përmirësohen apo rindërtohen, ato ekzistuese po flas”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka nënvizuar se investimi në sport është investim në shëndet, edukim dhe rini, duke shtuar se sporti mbetet ambasadori më i mirë i Kosovës dhe mënyra më e fuqishme për ndërtimin e imazhit pozitiv të shtetit në botë.
“Investimi në sport është investimi në shëndet, është investim në kulturë, është investim në rininë tonë. Besoni që investimi më i mirë tash për shtetin tonë është të fokusohet në sport. Pra sporti është shëndet, kulturë, edukatë, disiplinë, edhe e përfaqëson Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është më i miri përmes sportit. U pa kjo me medaljen olimpike, me aktivitete të ndryshme, tani së fundi me futboll, ku bota foli për Kosovën. Po paramendoni çka do të ishte nëse Kosova kualifikohet në Botëror. Paramendoni, një shtet i vogël me 1.5, 6, 7 milionë banorë. Kjo do të ishte një, unë besoj që krejt bota do të flasë për Kosovën për herë të parë. Shumë shtete në botë kur ta shohin emrin e Kosovës, dashtë Zoti të kualifikohemi, as nuk e dinë ku është Kosova. Ata menjëherë hyjnë në Google e shikojnë çka është ky vend, që kurrë s’e kam dëgjuar këtë emër me qenë në botëror, në futboll”, deklaroi Krasniqi.
Në mbyllje, kreu i KOK-ut ritheksoi se sporti është ambasadori më i mirë i shtetit dhe se investimi në këtë fushë është investim në shëndet, kulturë dhe rini. Ai i bëri thirrje shtetit që të besojë më shumë te komuniteti sportiv dhe të ofrojë mbështetjen e nevojshme.