Spitali i Pejës kryen për herë të parë operacionin për stabilizimin e shpatullës
Një ndërhyrje e avancuar ortopedike, e cila synon parandalimin e zhvendosjes së përsëritur të shpatullës, është realizuar për herë të parë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Operacioni i njohur si Latarjet është kryer te një paciente 52-vjeçare dhe, sipas Spitalit, ka përfunduar me sukses, pa komplikime të evidentuara. Procedura Latarjet përdoret te pacientët që…
Lajme
Një ndërhyrje e avancuar ortopedike, e cila synon parandalimin e zhvendosjes së përsëritur të shpatullës, është realizuar për herë të parë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Operacioni i njohur si Latarjet është kryer te një paciente 52-vjeçare dhe, sipas Spitalit, ka përfunduar me sukses, pa komplikime të evidentuara.
Procedura Latarjet përdoret te pacientët që përjetojnë zhvendosje të përsëritura të shpatullës, një problem që shkakton humbje të stabilitetit të nyjës dhe mund të përsëritet edhe pas trajtimit të mëparshëm. Përmes kësaj teknike kirurgjike synohet të rritet stabiliteti i shpatullës dhe të zvogëlohet rreziku që ajo të dalë sërish nga vendi.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, ndërhyrja është realizuar nga ekipi i ortopedëve dr. Shkumbin Berisha, dr. Florent Dauti nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt dhe dr. Valdrin Gashi, në cilësinë e asistentit, si dhe anesteziologia dr. Gjeve Gashi.
Në operacion kanë kontribuuar edhe teknikët e anestezionit, instrumentaret dhe stafi tjetër mbështetës.
Spitali ka bërë të ditur se ecuria e pacientes para dhe pas ndërhyrjes ka qenë e mirë dhe nuk janë evidentuar komplikime.