Zemaj: Raporti i KE-së e rrëzon propagandën e Qeverisë për shëndetësinë, pacientët vazhdojnë të blejnë vetë barnat
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor, duke u thirrur në gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, të publikuar të mërkurën. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Zemaj ka thënë se raporti nuk evidenton vetëm mangësi teknike, por nxjerr në pah probleme…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor, duke u thirrur në gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, të publikuar të mërkurën.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Zemaj ka thënë se raporti nuk evidenton vetëm mangësi teknike, por nxjerr në pah probleme të thella në menaxhimin, planifikimin dhe funksionimin e sistemit shëndetësor.
Sipas tij, gjetjet e raportit janë në kundërshtim me atë që ai e cilësoi si propagandë qeveritare për sukseset në sektorin e shëndetësisë.
“Ky raport e rrëzon propagandën qeveritare për suksese në shëndetësi dhe e vendos përballë realitetit të spitaleve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka theksuar se, pavarësisht rritjes së buxhetit për shëndetësi, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave esenciale dhe shërbimeve shëndetësore.
Zemaj ka përmendur edhe të dhënat e Komisionit Evropian, sipas të cilave buxheti për shëndetësi gjatë vitit 2025 ka arritur në 358 milionë euro, por një pjesë e mjeteve nuk është shpenzuar.
Në këtë drejtim, ai ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të parasë publike, duke kritikuar faktin se pacientët detyrohen t’i sigurojnë vetë barnat dhe terapitë.
“Si është e mundur që kemi miliona në dispozicion, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë? A është në pyetje paaftësia, keqmenaxhimi apo tenderët njëburimorë? Unë besoj se është kjo e fundit!”, ka thënë Zemaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka theksuar gjithashtu se rreth 40 për qind e shpenzimeve shëndetësore vazhdojnë të mbulohen drejtpërdrejt nga qytetarët.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te shuma e mjeteve të ndara për këtë sektor, por te mënyra se si ato menaxhohen dhe rezultatet që prodhojnë.
Zemaj ka ngritur shqetësime edhe për rënien e mbulueshmërisë me vaksinën MMR, nga 89 në 82 për qind, duke e cilësuar këtë si zhvillim shqetësues.
Ai ka theksuar se situata është edhe më problematike te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ku shkalla e vaksinimit mbetet nën 40 për qind. Në fund, deputeti i LDK-së ka kritikuar edhe moszbatimin sistematik të programeve për luftimin e kancerit, duke thënë se këto probleme dëshmojnë mungesën e rezultateve konkrete në sektorin e shëndetësisë. /Lajmi.net/