Spitali i Gjilanit kërkon falje për gjuhën e drejtorit ndaj gazetares së Klan Kosovës: Respektojmë punën e mediave
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit, ka dalë me një ‘sqarim’ pas gjuhës së papërshtatshme të drejtorit, Afrim Cana, ndaj gazetares së Klan Kosova, Arbreshë Uka, gjatë realizimit të kronikës për absurditetin e ndalimit të kujdestarive në 3 lëmi, në këtë institucion shëndetësor. Në postimin e bërë kanë shprehur keqardhjen, për deklaratën e Canës ndaj gazetares,…
Lajme
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit, ka dalë me një ‘sqarim’ pas gjuhës së papërshtatshme të drejtorit, Afrim Cana, ndaj gazetares së Klan Kosova, Arbreshë Uka, gjatë realizimit të kronikës për absurditetin e ndalimit të kujdestarive në 3 lëmi, në këtë institucion shëndetësor.
Në postimin e bërë kanë shprehur keqardhjen, për deklaratën e Canës ndaj gazetares, duke shtuar se respektojnë lirinë, punën dhe të drejtën e mediave – edhe pse kjo s’u pa dje.
“Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit respekton plotësisht lirinë e shprehjes, punën e gazetarëve dhe të drejtën e mediave për të informuar publikun.
Shprehim keqardhjen tonë për formulimin e përdorur gjatë komunikimit me gazetaren dhe ritheksojmë rëndësinë e komunikimit korrekt dhe me respekt të ndërsjellë.”
Lidhur me çështjen e temës, ata thonë se ofrojnë shërbime përmes organizimit të punës dhe kjo bëhet në bazë të nevojave.
“Sa i përket çështjes së ngritur për organizimin e shërbimeve shëndetësore, sqarojmë se në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ofrohen shërbime shëndetësore 24/7, përmes organizimit të punës në orarin e rregullt, kujdestarisë dhe gatishmërisë specialistike.
Ky organizim bëhet në bazë të nevojave dhe kërkesave klinike, duke synuar shfrytëzimin sa më efikas të kapaciteteve profesionale dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve për pacientët.”
Bile, sipas tyre, deri sot, asnjë pacient nuk ka mbetur pa marrë shërbime.
“Theksojmë se, bazuar në funksionimin e deritanishëm të shërbimeve, asnjë pacient nuk është kthyer nga Shërbimi i Emergjencës për shkak të mungesës së konsultimit specialistik nga urologu, infektologu apo pulmologu.
Sa herë që paraqitet një indikacion klinik, edhe jashtë orarit të rregullt të punës, këto konsultime sigurohen përmes gatishmërisë specialistike.”