Mashtrimi i rëndë i ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt: Pretendoi se ishte pa ndjenja në momentin e vrasjes, kamera nr. 8 e zbulon në skenën e krimit
Ka përfunduar intervistimi i Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt, në Gjykatën Themelore në Pejë. Nurije Sylaj dyshohet se ka qenë e pranishme në shtëpi në momentin kur Albert Sylaj dyshohet se e sulmoi me sëpatë Arlinda Zekaj Sylajn, raporton indeksonline. Sipas dyshimeve të hetuesisë, ajo fillimisht ndodhej në sallon, ndërsa më pas edhe në…
Lajme
Ka përfunduar intervistimi i Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt, në Gjykatën Themelore në Pejë.
Nurije Sylaj dyshohet se ka qenë e pranishme në shtëpi në momentin kur Albert Sylaj dyshohet se e sulmoi me sëpatë Arlinda Zekaj Sylajn, raporton indeksonline. Sipas dyshimeve të hetuesisë, ajo fillimisht ndodhej në sallon, ndërsa më pas edhe në dhomën e gjumit, ku dyshohet se ndodhi sulmi, transmeton lajmi.net.
Organeve të hetuesisë u janë ngritur dyshime se Sylaj, pavarësisht pranisë dhe dijenisë për atë që po ndodhte, nuk kishte ndërmarrë veprime për ta parandaluar apo ndërprerë sulmin ndaj viktimës.
Përveç kësaj, ajo dyshohet se pas ngjarjes, gjatë dhënies së deklaratës në cilësinë e dëshmitares, është përpjekur të paraqesë rrethana të pavërteta dhe të devijojë drejtimin e hetimeve.
Sipas dyshimeve, Nurije Sylaj kishte deklaruar se Arlinda Zekaj e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, si dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në momentin e vrasjes.
Mirëpo, këto deklarime dyshohet se nuk përputhen me provat e mbledhura deri më tani. Sipas raportimeve, në incizimet e kamerave të sigurisë, konkretisht në kamerën numër 8, shihet një pjesë e ngjarjes, përfshirë edhe praninë e Nurije Sylajt gjatë veprimeve të dyshuara të Albert Sylajt.
Ndryshe, Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Rasti vazhdon të jetë nën hetim nga organet e drejtësisë./lajmi.net/