Sot në Gjermani shkuan 200 azilkërkues kosovarë
Numri i azilkërkuesve nga Kosova ka rënë ndjeshëm, por vazhdon të mbetet i lartë, ka thënë ministrja për Çështje Evropiane e rajonit bavarez të Gjermanisë, Beate Merk.
Lajme
Merk ka thënë se emigrantët që po ikin për shkak të varfërisë po pengojnë kapacitetet e Gjermanisë për të ndihmuar refugjatët që po ikin nga luftërat.
“Migrantët që ikin nga varfëria pengojnë kapacitetet tona për refugjatët nga luftërat civile, të cilët kanë nevoja urgjente”, ka thënë Merk të enjten në Beograd, raporton DPA, transmeton koha.net.
Ajo po ashtu ka thënë se Kosova, e cila ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 2008, duhet të shpallet vend i sigurt.
Numri i kosovarëve që arrijnë në Gjermani ka rënë nga 1,400, në ditë në fillim të shkurtit, në më pak se 200 në ditë sot, ka thënë një ditë më herët Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë e Gjermanisë.
Numri i të larguarve nga Kosova ka rënë pothuaj në zero, por ata që tash kërkojnë azil janë persona të cilët kanë braktisur vendin më herë dhe kanë qëndruar nëpër kampe.