Sot filloi Evropiani që po mbahet në Prishtinë

Të shtunën ka filluar Kampionati Evropian i Divizionit B, për femra U20. Ndeshjet e para janë zhvilluar nga ora 16:30, derisa më pas është zhvilluar ceremonia hapëse, e organizuar në mënyrë të përkryer.

Sport

03/08/2019 23:38

Në këtë ceremoni, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se, Kosova po dëshmon në organizime të ngjarjeve të mëdha, siç është Evropiani në Prishtinë, derisa ka falenderuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës për këtë organizim të rrallë dhe për punën që po bënë, sidomos me gjenerata të reja.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka deklaruar se, është privilegj për Federatën që organizojnë një Kampionat të tillë. Dushku shtoi se ky Evropian është shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, sidomos atë të femrave. Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe shumë personalitete të tjera.

Më pas Kampionatin e ka hapur zyrtarisht Winfried Gintschel, i deleguari nga FIBA.

Ndërkohë, Kosova U20 ka zhvilluar një ndeshje fantastike përballë Turqisë, edhe pse në fund pësoi 87:49. Vashat e Kosovës janë shumë më të reja dhe synojnë të fitojnë përvojë nga ky Evropian.

Tringa Ukaj ka shënuar 15 pikë e nëntë kërcime, derisa Astera Tuhina shënoi nëntë, Fjolla Ajeti tetë dhe Besjana Martinaj gjashtë.

Vashat kanë pasur përkrahje edhe nga një numër i madh i tifozëve.

Në takimet tjera, Finlanda ka mundur Greqinë 79:55, Kroacia mundi Islandën 76:55 dhe Irlanda mposhti Ukrainën 63:53.

Kampionati do të vazhdojë deri më 11 gusht, kur është ceremonia mbyllëse dhe finalja e madhe. /Lajmi.net/