Smajljaj: VV-së i konvenon një presidente si Vjosa Osmani, pasi nuk përbën sfidë për qeverinë

Politologu, Avdi Smajljaj ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër tjetër për postin e presidentit përveç Vjosa Osmanit, duke shtuar se në mungesë të një konsensusi politik për shkuarje në zgjedhje të reja, partia në pushtet do të tentojë vazhdimin e mandatit të saj. Smajljaj ka thënë se për Vetëvendosjen është përfitim që…

Lajme

12/01/2026 19:36

Politologu, Avdi Smajljaj ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër tjetër për postin e presidentit përveç Vjosa Osmanit, duke shtuar se në mungesë të një konsensusi politik për shkuarje në zgjedhje të reja, partia në pushtet do të tentojë vazhdimin e mandatit të saj.

Smajljaj ka thënë se për Vetëvendosjen është përfitim që Osmani të vazhdojë edhe një mandat tjetër, pasi sipas tij ajo nuk ka qenë një presidente që ka sfiduar qeverinë apo institucionet e tjera të vendit.

Ai ka shtuar se kalkulimi politik mund të jetë edhe shkuarja sërish në zgjedhje, me qëllim të rritjes së mëtejme të votës.

“Jemi shumë pranë përfundimit të mandatit të presidentes aktuale. Përcaktuesi kryesor, apo partia që ka më së shumti mundësi të vendosë se kush do të jetë presidenti apo presidentja e ardhshme, është partia me numrin më të madh të votave, pra Lëvizja Vetëvendosje. Në njërën anë, ajo mund të kalkulojë shkuarjen në zgjedhje të reja për ta rritur votën, ose të bëjë një kalkulim tjetër që të mos arrihet konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit, me shpresën për të realizuar këtë qëllim. Është një lloj përfitimi për Vetëvendosjen që Vjosa Osmani të vazhdojë edhe një mandat tjetër si presidente, pasi roli i saj nuk e ka sfiduar qeverinë dhe institucionet e tjera, edhe në rastet kur ato nuk kanë qenë në nivel të detyrës. Andaj, besoj se një presidente e tillë është në interes të Vetëvendosjes. Megjithatë, duket se kalkulimi politik është që të shkohet sërish në zgjedhje për ta rritur edhe më shumë votën, ose, në të kundërtën, të vazhdohet me mandatin aktual të presidentes Osmani”, ka thënë Smajljaj në Tëvë1.