‘’Skutat’’ e Berishës, Selmanit e Idrizit s’kanë pse të kërkohen nga Giresse
Prej kur kombëtarja e Kosovës në futboll u pranuar në FIFA dhe UEFA, Valon Berisha ishte pjesë kyçe e grumbullimeve. Reparti i mesfushës gjente qetësi kur ai ishte në formacionin startues. Së fundmi, te tifozët një ndjenjë gëzimi sillte edhe grumbullimi i Blendi Idrizit – një lojtar që luante me Schalken dhe shihej të kishte…
Sport
Prej kur kombëtarja e Kosovës në futboll u pranuar në FIFA dhe UEFA, Valon Berisha ishte pjesë kyçe e grumbullimeve. Reparti i mesfushës gjente qetësi kur ai ishte në formacionin startues. Së fundmi, te tifozët një ndjenjë gëzimi sillte edhe grumbullimi i Blendi Idrizit – një lojtar që luante me Schalken dhe shihej të kishte një të ardhme të ndritur para vetes. Por, asnjëri prej tyre nuk është grumbulluar së fundmi nga selektori i kombëtares së Kosovës, Alain Giresse. Krejt kjo për fajin e transferimeve të paqëlluara. Njëri zgjodhi të shkonte në Australi, tjetri u kthye në Bundesliga II, pak pasi me Schalken u promovua në Bundesliga. Situatë e ngjashme është me sulmuesin Astrit Selmani, i cili nga Hammarby, në kohën kur pritej të bënte hapin e madh në karrierë, shkoi në Izrael. Si interpretohet mungesa e tyre në listën e Kosovës?
Lëvizjet e shpeshta nëpër skuadra e qytete të ndryshme, më shumë sesa për mungesë adaptimi, flasin për një rrugë jo të mirëmenduar e cila nuk i shpuri aty ku pretendonin.
Rrotullat e këtyre trajektoreve lëvizëse s’po u rrinë mirë tre futbollistëve të kombëtares së Kosovës. ‘’Fraku’’ i karrierës së tyre tashmë është i fortshtërnguar dhe ai që po e vuan këtë gjë më së shumti është ‘’fyti’’, që s’po bën pakt kurrsesi mbi këtë katrahurë dëmesh.
Ndeshjet e shtatorit i gjejnë jashtë listës së të ftuarve Valon Berishën, Astrit Selmanin dhe Blendi Idrizin. I pari kapiten i kombëtares për shumë ndeshje, ndërsa dy të tjerët të cilësuar me potencial të madh, por që ‘’s’shpërthyen’’ kurrë.
Kosova, pavarësisht rezultateve jo fort pozitive, lëvizi për të mirë në prurjen e elementeve më cilësore në organikë. ‘’Rrugë’’ bënë edhe tre të sipërpërmendurit, por jo përkitazi me atë çka donin ‘’Dardanët’’ dhe ç’i nevojitej anëtares më të re të UEFA-s dhe FIFA-s.
Të njëjtët duket se s’po kuptojnë se kombëtarja kërkon më shumë!
Kalimi nga Salzburg te Lazio, Dusseldorf, Reims dhe, së fundi, te Melbourne, për Berishën ishin një tatpjetë e pakontrollueshme. Nëse dikur vlera e tij, sipas ‘Transfermarkt’, sillej rreth 10 milionë euro, sot kjo shifër është përgjysmuar dy herë. 29-vjeçari vlen hiç më shumë se 2.5 milionë euro.
Është e qartë që në këtë mes mund të kenë ndërhyrë edhe lëndimet, por t’ia mbathësh për në Australi në moshën 29-vjeçare tregon që supet tua s’ia dalin më ose ti s’di ku do të dalësh. Për karrierizëm nuk bëhet fjalë. Ai s’ka ngecur në vendnumëro, por po lëviz drejt rënies.
Mesfushori një kohë paguhej përrreth 56 mijë euro në javë, por, krahas kontributit të tij për skuadrat respektive, ai s’merr më shumë se 15 mijë.
I vetmi vend ku ai mund ta shfryjë zemërimin është pikërisht vetja e tij, pasi, siç e di ai, luajtja, qoftë edhe përkohësisht, në një skuadër tmerrësisht larg llupës së më të mirave, nuk mund t’ia japë çelësat e mesfushës së kombëtares.
Një ‘’shkundje’’, sado e vonë të duket, mund t’i bënte hair futbollistit të talentuar, para se mosha e shtyer të fliste zëshëm për potencialin e tij.
Përgjegjësisë dhe presionit duket se po tenton t’i ikë edhe Astrit Selmani, që strofullen për tri vitet e ardhshme synon ta bëjë të skuadra aspak me nam izraelite, Hapoel Beer Sheva.
Suedezët e Hammarby, s’i premtuan ‘’përjetësi’’, por të paktën aty ishte më afër syrit të ndonjë skauti, të cilin mund ta bindte me shumë më pak punë se në Izrael.
Te Hammarby për dy sezone luajti 39 ndeshje në ligë dhe 13 të tjera në Kupën e Suedisë, teksa shënoi 16 gola dhe shtatë asiste.
Vlera e tij, nga 1.5 milionë euro, ka rënë në 1.2 milionë dhe fajtori s’ka kush të jetë tjetër pos atij.
Pak më ndryshe nga këta, por me një përfundim pothuajse të njëjtë, ishte edhe karriera e Blendi Idrizit që tashmë duhet t’i bëjë llogaritë me veten.
Mesfushori ofanziv kapërceu ‘’dy-tri shkallë’’, por lartësia duket se e frikësoi.
Schalke ishte një kostum i madh për të, por lëvizja pasuese e çoi në ekstremin tjetër. Jahn Regensburg është ekipi nga Bundesliga II që e priti krahëhapur kosovarin për ta mbajtur një vit.
Ai i ka predispozitat të shkëlqejë, por i duhet t’i kapërcejë më shpejt pengesat, sepse më s’mund ta gëzojë epitetin e talentit.
Idrizi është 24-vjeçar dhe kjo lëvizje, më shumë sesa dëshirë për ta vënë në pah potencialin, është fshehje e tij.
Përrenjtë që i mbajnë ‘’ngrohtë’’ treshen e lartpëtrmendur ngjasojnë me ‘’pyje të pashkelura’’ e vështirë të gjetshme, aq më pak kur Kosova kërkon të dëshmohet në për futboll në Evropë e botë. /Lajmi.net/F.D/