“S’kemi kushte, oferta dhe as s’kërkojmë pushtet” – Daut Haradinaj thotë se AAK janë të gatshëm për çdo ofertë për ta formuar qeverinë e opozitës
Daut Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e AAK-së për të mbështetur çdo ofertë që opozita mund të paraqesë, duke theksuar se partia e tij nuk ka kushte për pushtet. Ai shtoi se AAK është e interesuar të kontribuojë, por për më shumë preferon zgjedhjet e parakohshme sesa një qeveri gjithëpërfshirëse, për të cilën ka theksuar se…

Lajme
Daut Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e AAK-së për të mbështetur çdo ofertë që opozita mund të paraqesë, duke theksuar se partia e tij nuk ka kushte për pushtet.
Ai shtoi se AAK është e interesuar të kontribuojë, por për më shumë preferon zgjedhjet e parakohshme sesa një qeveri gjithëpërfshirëse, për të cilën ka theksuar se nuk ka pasur kërkesa.
“Unë, jam i gatshëm në secilin kombinim që opozita do ta bën ofertën e ardhshme. S’kemi kushte, oferta dhe as s’kërkojmë pushtet. Jemi të interesuar me i përkrahë. Ka buru edhe ideja e një qeverie gjithëpërfshirëse, as aty s’kemi pasë kërkesa, por unë më shumë shoh zgjedhje se zgjidhje”, tha Haradinaj.
Për arsyet e ndarjeve brenda opozitës, Haradinaj tha se një pjesë e problemeve janë shkaktuar nga egoja e liderëve dhe mosmarrëveshjet brenda partive për bashkëqeverisje.
“Nganjëherë s’po i përmbushen egot liderëve, ka edhe raste kur deputetët e një partie nuk pajtohen të qeverisin me një subjekt tjetër. Partitë opozitare nuk e kanë situatën 100% në kontroll për një qeverisje të opozitës, duke filluar nga liderët që nuk kanë koordinim”, shtoi tutje.
Ai gjithashtu theksoi se gjuha e ashpër e AAK-së ndaj Kurtit në fushatë, ndikoi në elektoratin e tyre.
“Por, edhe gjuha e AAK-së, pra gjuha jonë agresive ndaj VV’së, gjatë fushatës, na ka penalizuar në vota, pastaj edhe përkrahja që i kemi dhënë Kurtit për marrëveshjen e Ohrit nuk ka qenë populiste.”
“Kritikat tona kanë qenë për shkëputjen e projektit të ndërtimit për Termocentralin e ri, ndërprerja e projektit për gazin amerikan, falja e tokave që ia bën Manastirit, futja e Kosovës në sanksione…”, tha Haradinaj në Blic Interview me Astrit Gashin.