Skandaloze: Balla e quan Tahir Sinanin “mercenar” bashkë me ushtarët tjerë të Shqipërisë në UÇK, nuk tenton as të kërkoj falje

Një postim skandaloz është lëshuar nga profili i Taulant Ballës, kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ai teksa ka vazhduar sulmet e tij ndaj protestës, ka publikuar një dokument sipas të cilit ushtarakët shqiptar që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së janë paguar si mercenarë. Në listë ishte edhe…

Lajme

25/06/2026 11:28

Një postim skandaloz është lëshuar nga profili i Taulant Ballës, kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai teksa ka vazhduar sulmet e tij ndaj protestës, ka publikuar një dokument sipas të cilit ushtarakët shqiptar që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së janë paguar si mercenarë.

Në listë ishte edhe emri i dëshmorit Tahir Sinani, ish-ushtarakut nga Tropoja që mori pjesë në luftën e Kosovës, luftën e Luginës së Preshevës dhe luftën e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut ku ra edhe dëshmor.

Kjo deklaratë e tij, ka sjell reagime të ashpra si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Vajza e Tahir Sinanit, dëshmorit të kombit, Rugova Sinani ka reaguar ashpër ndaj kësaj deklarate, ku ka shkruar se ky është një poshtërim i rëndë për komandantin legjendar të UÇK-së.

“Vetëm një i paskrupullt mund ta bëjë këtë. Taulant Balla urgjentisht t’i duhet të kërkosh falje publike. Sot ti ma vrave për së dyti babën! Gjaku i tij do ua thyejë qafën ty e gjithë atyre që prekin te plaga që hala dhemb,” shkruan ajo.

Ajo ka thënë se Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare, jo për parti politike.
“E në qoftë se nuk e njeh ti Tahir Sinanin e njeh gjithë shqiptaria. Ai shkoi me lavdi po ti ça do lësh mbrapa?! Turp për ty! Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Detyra juaj është të mbroni të drejtat e veteranëve, të familjeve të dëshmorëve dhe vlerave të luftës dhe jo të merreni me politikë nën petkun e UÇK-së nëpërmjet kësaj organizate. Përndryshe të shpërbëheni menjëherë si grup drejtues dhe të drejtohet nga persona që ia dinë vlerën luftës e gjakut të dëshmorëve. Pas gati 25 vitesh nga rënia dëshmor e babit të përjetosh këtë poshtërim është e rëndë!”, ka shkruar ajo.

 

Për këtë deklaratë skandaloze, ka reaguar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj.

Përmes reagimit të tij, Limaj i është drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Taulant Balla, duke kërkuar që figurat dhe vlerat e luftës të mos përdoren për përplasje politike.

“Mos prekni themelet e lirisë për interesa e përplasje ditore. Heroi i kombit, Tahir Sinani, i kthyer në frymëzim dhe simbol të qëndresës për çdo luftëtar të UÇK-së, është në themel të lirisë së kombit tonë”, ka shkruar Limaj.

Ai thekson se Sinani dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së kanë shkruar historinë me gjak dhe se emrat e tyre duhet të mbeten jashtë debateve të ditës.

Në fund të reagimit, Limaj ka shprehur homazhe për të rënët për liri.

“Lavdi Tahir Sinani dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka përfunduar ai.

Në lidhje me këtë, nuk ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe as vetë Balla nuk ka kërkuar ende falje apo nuk ka tentuar ta sqaroj deklaratën e tij. /Lajmi.net/