Deklarohen të pafajshëm katër të akuzuarit për krim të organizuar me kontrabantim me migrantë

Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Adnan Krasniqi, Fitim Latifi, Veton Peci dhe Besmir Caka, u deklaruan të pafajshëm lirdhur me akuzën për krim të organizuar me kontrabandim me migrantë. Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arbëresha Shala. Pas kësaj, gjyqtarja e…

Lajme

25/06/2026 12:04

Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Adnan Krasniqi, Fitim Latifi, Veton Peci dhe Besmir Caka, u deklaruan të pafajshëm lirdhur me akuzën për krim të organizuar me kontrabandim me migrantë.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arbëresha Shala.

Pas kësaj, gjyqtarja e rastit Violeta Namani-Hajra njoftoi të akuzuarit Krasniqi, Latifi, Peci dhe Caka, si dhe mbrojtësit e tyre, avokatët: Fanol Krasniqi, Lavdërim Salihu, Ilir Rama dhe Berat Tmava se brenda 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 dhjetor 2025, të akuzuarit Adnan Krasniqi, Fitim Latifi, Veton Peci dhe Besmir Caka, akuzohen se bashkë me personat NN, në periudhën kohore nga viti 2022, përkatësisht janar 2023 e deri më 11 shtator 2023, kanë vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal, duke i mundësuar vetes përfitime të drejtëpërdrejta apo të tërthorta të dobisë financiare, duke vepruar në kundërshtim me ligjin kanë kontrabanduar shtetas të huaj në Republikën e Kosovës. Këto veprime, thuhet se i kanë bërë me dashje dhe duke ditur se kjo vepër penale është e dënueshme me burgim së paku 4 vjet.

Tutje sipas aktakuzës, ata në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në veprimtaritë e kontrabandimit të kundërligjshëm të migrantëve që vinin përmes Shqipërisë nga shtetet e Bangladeshit, Pakistanit, Sirisë dhe shteteve të tjera, e që kishin destinacion shtetet e tjera të Evropës.

Sipas aktakuzës, thuhet se të njëjtit si grupi kriminal i organizuar, veprimet i ndërmerrnin në këmbim të një shume të të hollave nga 100 euro deri në 300 euro për person, përkatësisht për një destinacion udhëtimi të migrantëve pasi që përmes rrugëve joligjore arrijnë në afërsi të kufirit të Shqipërisë, në bashkëveprim me personat e Shqipërisë të cilët i kanë transportuar përgjatë vijës së gjelbër nga Shqipëria në Kosovë 13 migrantë nga Siria, Pakistani, Iraku e Bangladeshi, dhe u janë dorëzuar të akuzuarve në koordinim dhe bashkëveprim të plotë me shtetasit shqiptarë.

Me këtë rast, aktakuza thotë se me këtë u kanë mundësuar hyrjen-kalimin ilegal të migrantëve në Kosovë dhe duke siguruar kështu transportimin në territorin e Kosovës për vende të tjera të Evropës.

Prandaj me këto veprime, të njëjtit ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, par.1, lidhur me veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, par.1 lidhur me par 6, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi