ZKA për Ministrinë e Financave: 926 mijë euro pensione të dyfishta, 91 mijë euro pensione për persona të vdekur dhe 248 vonesa në rimbursime tatimore
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore 2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por duke identifikuar një sërë mangësish në fushën e pajtueshmërisë, menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm. Sipas raportit, auditorët kanë evidentuar vonesa të konsiderueshme në…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore 2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por duke identifikuar një sërë mangësish në fushën e pajtueshmërisë, menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm.
Sipas raportit, auditorët kanë evidentuar vonesa të konsiderueshme në trajtimin e kërkesave për kthim dhe rimbursim tatimor, pagesa të pensioneve të dyfishta, pensione të paguara pas vdekjes së përfituesve, mbajtje të pozitave me ushtrues detyre për periudha të gjata dhe mosadministrim të kontratave përmes sistemit elektronik të prokurimit.
Mbi 240 raste me vonesa në rimbursimet tatimore
Një nga gjetjet kryesore të raportit lidhet me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ku auditorët kanë konstatuar se në 248 raste kërkesat e tatimpaguesve për kthim ose rimbursim tatimor nuk janë shqyrtuar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Nga 1,085 kërkesa të aprovuara, këto vonesa kanë zgjatur nga një deri në 582 ditë kalendarike, me një mesatare prej rreth 41 ditësh përtej afatit ligjor.
Raporti thekson se për këto vonesa nuk ishte aplikuar pagesa e interesit ndaj tatimpaguesve, ndonëse ligji e kërkon një gjë të tillë kur afatet tejkalohen. Auditorët vlerësojnë se kjo situatë mund t’u shkaktojë bizneseve vështirësi financiare dhe njëkohësisht rrit rrezikun që ATK të përballet me padi nga tatimpaguesit.
Sipas menaxhmentit, një nga arsyet kryesore për vonesat ka qenë mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore për trajtimin e kërkesave.

Mbi 926 mijë euro pensione të dyfishta
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me përfitimin e më shumë se një pensioni nga skemat pensionale të financuara nga shteti. ZKA ka identifikuar se gjatë vitit 2025 ministria kishte realizuar pagesa në vlerë prej 926,553 eurosh për përfitues që gëzonin më shumë se një pension.
Auditorët vlerësojnë se mungesa e interpretimit përfundimtar të dispozitave ligjore për skemat pensionale ka ndikuar në vazhdimin e këtyre pagesave. Sipas raportit, rastet më të shpeshta lidhen me ish-pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), për të cilët pagesat kanë vazhduar bazuar në një vendim të mëhershëm qeveritar deri në interpretimin përfundimtar të legjislacionit.
ZKA paralajmëron se pensionet e dyfishta mund të shkaktojnë dëmtim të buxhetit të shtetit në mungesë të një baze të qartë ligjore.


Pensione për persona të punësuar dhe pagesa pas vdekjes
Raporti evidenton gjithashtu pagesa të pensioneve për persona që ishin të punësuar ose realizonin të ardhura personale. Vlera e gabimit financiar të identifikuar për vitin 2025 arrin në 259,392 euro.
Po ashtu, auditorët kanë gjetur 517 pagesa pensionale të realizuara pas vdekjes së përfituesve, në vlerë prej 91,010 eurosh. Sipas raportit, këto pagesa kanë ndodhur kryesisht si rezultat i njoftimit me vonesë të rasteve të vdekjes ose mosregjistrimit në kohë të tyre në sistemet përkatëse.
ZKA vlerëson se këto raste kanë shkaktuar pagesa të parregullta dhe kanë dëmtuar buxhetin publik.


Dhjetëra pozita të mbajtura me ushtrues detyre
Në Administratën Tatimore të Kosovës janë identifikuar 81 pozita të mbajtura me ushtrues detyre ose zëvendësues. Sipas auditorëve, 58 prej këtyre pozitave janë mbajtur për periudha shumë më të gjata sesa lejohet me ligj, konkretisht nga 22 deri në 41 muaj.
Raporti thekson se vendimet për këto emërime ishin marrë gjatë viteve 2022-2024 mbi bazën e legjislacionit tashmë të shfuqizuar dhe se deri në përfundimin e auditimit nuk ishte bërë harmonizimi me kornizën aktuale ligjore.
Sipas ZKA-së, kjo situatë mund të ndikojë në efikasitetin operacional të institucionit dhe në arritjen e objektivave strategjike.

Kontratat nuk menaxhohen në e-prokurim
Një tjetër mangësi e evidentuar ka të bëjë me menaxhimin e kontratave publike. Auditorët konstatuan se MFPT, përfshirë Doganën e Kosovës dhe ATK-në, nuk po administronin kontratat përmes modulit përkatës të platformës elektronike të prokurimit, ndonëse kjo kërkohet me rregullore.
Sipas raportit, moszbatimi i këtij moduli ka ardhur si rezultat i anashkalimit të detyrimeve ligjore dhe mungesës së njohurive apo trajnimeve të mjaftueshme për përdorimin e sistemit. Auditorët vlerësojnë se kjo e bën menaxhimin e kontratave më pak transparent dhe vështirëson monitorimin e performancës së kontraktorëve.

Shpenzime të klasifikuara gabimisht
Raporti evidenton edhe klasifikim jo të duhur të shpenzimeve në vlerë prej 96,109 eurosh. Sipas auditorëve, disa pagesa të realizuara përmes vendimeve gjyqësore ishin regjistruar në kategori të gabuara buxhetore, ndërsa blerja e 12 kompjuterëve në vlerë prej 10,553 eurosh ishte paguar nga investimet kapitale, ndonëse duhej të trajtohej si shpenzim për mallra dhe shërbime.
ZKA vlerëson se klasifikimi jo adekuat ndikon në paraqitjen e saktë të shpenzimeve në pasqyrat financiare dhe mund të çojë në mbivlerësim ose nënvlerësim të kategorive të caktuara buxhetore.

Probleme edhe me regjistrimin e pasurisë
Auditorët kanë identifikuar gjithashtu nënvlerësim të pasurive në vlerë prej 151,712 eurosh. Sipas raportit, ministria nuk kishte regjistruar disa pajisje të teknologjisë informative në vlerë 108,490 euro dhe kishte nënvlerësuar projektin “Renovimi i zyrës së pensioneve në Mitrovicë” për 43,222 euro.
ZKA thekson se mungesa e regjistrave të plotë dhe të saktë të pasurive pengon menaxhimin efektiv të tyre dhe ndikon në paraqitjen e drejtë të pasqyrave financiare.

12 rekomandime për ministrinë
Në total, raporti i auditimit ka rezultuar me 12 rekomandime, prej të cilave katër janë të reja, shtatë të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. Auditorët kërkojnë nga Ministria e Financave dhe institucionet vartëse që të përmirësojnë kontrollet e brendshme, menaxhimin e pensioneve, proceset e rimbursimeve tatimore, administrimin e kontratave dhe regjistrimin e pasurive.
Megjithatë, pavarësisht këtyre mangësive, ZKA ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore të MFPT-së për vitin 2025, duke vlerësuar se ato paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale. /Lajmi.net/