S’ka transferime te Barca pa u zgjedhur presidenti i ri

Barcelona nuk do të hedhë asnjë hap në merkaton e janarit, pa u kryer zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të klubit. Lajmi konfirmohet nga e përditëshmja e mirënjohur katalanase Sport, që qëndron si zakonisht shumë pranë klubit të famshëm blaugrana dhe është gjithmonë tepër e vëmendshme ndaj zhvillimeve që ndodhin te Barca.

Sport

02/12/2020 18:59

Sport citon trajnerin Ronald Koeman, i cili ka konfirmuar se drejtuesit e rinj të klubit të Barcelonës do të kenë thjesht një javë të vetme kohë në dispozicion, për të bërë ndryshimet e nevojshme në dritaren e posacme të janarit që lidhet me transferimet e mundshme.

57-vjecari holandez shpreson që gjithcka të shkojë mirë dhe të mos ketë probleme, në mënyrë që në javën e mbetur Barcelona shfrytëzojë merkaton e dimrit dhe të bëjë lëvizjet e duhura për të përforcuar skuadrën. Në konferencën e tij për shtyp trajneri Ronald Koeman qartësoi se ky nuk është momenti i duhur për të folur rreth një cështje të tillë, pasi probelemet e merkatos do të zgjidhen vetëm atëherë pasi të jetë mësuar edhe emri i presidentit të ri të klubit blaugrana.

Josep Maria Bartomeu ishte presidenti i 40-të në historinë e Barcës, megjithatë mbretërimi i tij afërsisht 7-vjecar mori fund, më datën 27 tetor, kur 57-vjecari nga Barcelona u shtrëngua për të dhënë dorëheqjen nga ky post. Trajneri Ronald Koeman këmbënguli duke theksuar nevojën e klubit për të fuqizuar skuadrën në fazën mbrojtëse, e 57-vjecari holandez shprehu dëshirën për të patur gjithashtu edhe një tjetër sulmues në gjirin e ekipit. Trajneri i Barcës shpjegoi se ky nuk është momenti i duhur për të folur për gjëra specifike, madje ai qartësoi se problemet e skuadrës blaugrana në mbrojtje nuk kanë ardhur për shkak të planifikimit të dobët të bërë nga ana e drejtuesve të mëparshëm, por thjesht si rrjedhojë e mungesëss fatit.

Ronald Koeman e konsideroi pikërisht si të tillë problemin me qendrën e mbrojtjes, megjithatë trajneri holandez përfitoi nga rasti për të evidentuar edhe dy mbrojtësat 21-vjecarë Ronald Araujo dhe Oscar Mingueza dhe nevojën që ka klubi kohë pas kohe për të promovuar lojtarët e rinj. Trajneri holandez deklaroi se në rastet kur nuk është e mundur që të përmirësohet skuadra nëpërmjet merkatos, apo mungojnë paratë e nevojshme për ta bërë këtë është gjithmonë më mirë që të ecet përpara, duke u mbështetur te lojtarët e akademisë, sepse sipas tij kjo është edhe mënyra e duhur për të përmirësuar futbollistët cilësorë, por gjithashtu edhe mënyra se si funksionojnë klubet në Holandë, një vend pararojë që mbetet i famshëm për rritjen, zhvillimin dhe trajtimin e vecantë të talenteve të reja dhe lojtarëve që promovohen nga skuadrat e moshave.