Sipas VV-së, PDK iu ka ofruar kryeministrin dhe 6 ministri!
Partia Demokratike e Kosovës ka tentuar të “joshë” rivalin e saj më të ashpër, Vetëvendosjen e Albin Kurtit, duke i ofruar postin e kryeministrit dhe gjashtë ministri, vetëm e vetëm që të hyjë në koalicion qeverisës me të.

Lajme
Kështu të paktën deklaron sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, sipas të cilit PDK-ja madje ka ofruar edhe pezullimin e dialogut me Serbinë dhe të privatizimit!
“Oferta ka qenë një vit e gjysmë qeveri, pezullim i dialogut dhe privatizimit, shuarja e AKP-së, kalimi i plotë i çështjes së ndërmarrjeve publike dhe shoqërore në njërën prej ministrive, që do ta udhëheqë Vetëvendosje. Gjashtë ministri Vetëvendosja, nëntë ministri PDK-ja, kryeministrin Vetëvendosja”, tha Molliqaj.
“Këto kanë qenë ato që kanë ardhur me atë letër, të cilën unë personalisht nuk e kam parë, mirëpo e kanë marrë njerëzit e Vetëvendosjes, e cila na është ofruar përmes kanaleve, për shkak se ne i kemi refuzuar të gjitha komunikimet dhe ata kanë dashur të tregojnë që kjo është marrëveshje, është e shkruar dhe është serioze dhe kanë kërkuar prej nesh që kurdo që të jemi gati ta diskutojmë”, ka shtuar ai.
“Ne vazhdojmë që të mos e marrim seriozisht për shkak të veprimeve që janë komplet joserioze në raport me interesin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Molliqaj për KTV.
Një burim nga PDK-ja ka thënë për lajmi.net se kjo është një “shpikje” e Vetëvendosjes dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë që e thotë Molliqaj.