Sindikatat bëhen bashkë, kërkojnë nga qeveria Ligjin e Pagave këtë vit dhe paralajmërojnë greva
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka organizuar një protestë para qeverisë së Kosovës ku ka gjetur edhe përkrahjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe të Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.
Lajme
Kryetari i FSHSK-së, Blerim Syla tha se duan nga qeveria e Kosovës Ligjin e Pagave sepse kjo do të vendoste barazinë sociale që ishte slogan nga qeveria aktuale, shkruan lajmi.net.
“Të nderuar punonjës shëndetësorë, punonjës të Kosovës dhe ju të papunë. Jemi mbledhur këtu para qeverisë t’i thomë hallet tona sa i përket gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë. Siç e dini, kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën që Presidentja dhe Kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve së paku për ligjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve, por ndodhi e kundëra, ata u mbyllën në vetë dhe ata nuk duan të bisedojnë me qytetarët e vet. Kërkesa e sotme është Ligji i Pagave. Ky ligj do të vendoste barazinë sociale që ishte slogan nga qeveria aktuale. Qeveria në mënyrë të fshehtë punon, pa ftuar sindikata e shoqëri civile. Sot kemi dalur t’i thojmë stop kësaj jo-transparence dhe kemi dalur t’iu themi se nëse ligji i pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë do të rikthehet në reagime më të ashpra sindikale.”, tha Syla.
Kryetari i ri i BSPK-së, Atdhe Hukolli tha në këtë tubim se do të jetë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave dhe kërkoi nga qeveria e Kosovës t’i ftojë sindikatat në dialogun social.
“Sot jam në cilësinë e kryetarit të BSPK-së që ta përkrahi protestën shumë kuptimplotë të Sindikatës së Shëndetësisë për Ligjin e Pagave, unë do të jem përherë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave ku ata kanë nevojë. Kërkoj nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt t’i thërrasë sindikatat në dialogun social. Sa më shpejt edhe ministrat t’i thërrasin sindikatat që kanë nevojë për dialogun social. Ne sot këtu do e përkrahim Federatën Sindikale të Shëndetësisë. Ftojmë qeverinë t’i qojë ekspertët e vet në Këshillin Ekonomiko-Social sepse ne si BSPK përndryshe jemi në përgatitjen e veprimeve sindikale. Sa më shpejt që është e mundur që të ulemi e të bisedojmë, veprimet sindikale do t’i kemi prioritet.”, tha Hukolli.
Më tutje, foli edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i cili i bëri thirrje qeverisë të flasë me sindikatat dhe ka përmendur grevat.
“Kam ardhur këtu ta përcjellë mesazhin e mijëra punëtorëve të arsimit të cilët i bashkangjiten me shpirt e zemër kësaj proteste dhe kam ardhur t’iu themi qeverisë ta dëgjojë këtë masë njerëzish që përfaqësojnë tërë sistemin shëndetësorë sepse ata kanë luftuar dhe po luftojnë kundër vdekjes të shpëtojnë jetë. Po ashtu bashkë me ta dhe në emër të tyre jam edhe unë dhe e lus qeverinë sot të bashkohet dhe të flasë me ne, në mënyrë që ky shesh të mos jetë plot njerëz në mënyrë që sistemit arsimor të mos kthehet ajo greva trejavore. Ne jemi duke u përgatitur për dialog, nëse dialogu mungon dhe nëse ligji nuk punohet bashkë me sindikatat dhe të implementohet në janar atëherë sistemi arsimor do të jetë i bllokuar nëse Ligji për paga nuk shkon siç tha Blerim Syla.”, tha Jasharaj.
Në fund ka folur sërish Syla i cili ka thënë se prej javës së ardhshme mund të ketë bllokim të sistemit shëndetësor.
“Siç po e shihni, pakënaqësia sociale ka filluar në Kosovë, z.kryeministër shpresoj që të më dëgjoni atje ku jeni lartë apo nuk jeni, vetëm sivjet, në 8 muaj të parë, kanë ikur 122 mjekë, e mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeçare, kanë ikur me qindra e qindra infermierë, mosha mesatare zoti kryeministër e mjekut në QKMF është 57 vjeçare, z.kryeministër pas 10 vjetëve, pensionohen 1200 specialistë dhe kush do ta shërojë këtë popullatë, z.kryeministër reflektoni, ruani sistemin publik për të cilin jeni zotuar dhe e keni në program të qeverisë, nuk do të ketë largim të punëtorëve shëndetësorë vetëm jashtë Kosovës, por ata do të dynden jashtë sistemit publik e do të shkojnë në privat dhe këtë e paguan thjesht popullata që nuk ka pare me u shëru. Sot ju kam pritur këtu z.kryeministër duke ju njohur se e respektoni protesën dhe grevën por si duket nuk e keni atë guxim. Por duke dashur gjithmonë ta ruaj dinjitetin e shtetit, e më së shumti të punëtorit shëndetësor, neve në mënyrë simbolike, siç po i shihni ato papuçe që kanë mbetur të zbrazta e që do të mbesin ende sepse truri i Kosovës pas politikave të gabuara që po i bëni, do të shkojë. Neve edhe një javë do të presim, ndërsa që nga java e ardhshme nuk garantoj që do të fillojë me bllokimin e sistemit shëndetësor. Kjo është në dorën tuaj, ju e keni politikbërjen, ju i keni mjetet, ne i kemi vetëm trurin dhe duart.”, tha në fund Syla./Lajmi.net/