Sigurimi shëndetësor, jetik për futbollistët

“E kam pasur një lëndim super të rëndë, komplet shputën e kam pasur të palëvizshme, komplet ligamentet i kam pasur të këputura…mandej karriera sikur ta prek atë pullën e kuqe ndryshoi krejt”. Kështu rrëfente për KosovaPress, ish-futbollistit Arsim Durmishi. Lëndime të tilla si ky në të kaluarën kanë mund të sjellin përfundimin e karrierës së…

Sport

05/05/2024 12:30

“E kam pasur një lëndim super të rëndë, komplet shputën e kam pasur të palëvizshme, komplet ligamentet i kam pasur të këputura…mandej karriera sikur ta prek atë pullën e kuqe ndryshoi krejt”.

Kështu rrëfente për KosovaPress, ish-futbollistit Arsim Durmishi.

Lëndime të tilla si ky në të kaluarën kanë mund të sjellin përfundimin e karrierës së një futbollisti, kjo për arsye se mungonin kushtet elementare për trajtimin e lëndimeve.

Por, ndryshe nga ajo periudhë, sot futbollistët e Kosovës kanë sigurimin e tyre shëndetësore që në rast të lëndimeve, të gjitha shpenzimet janë të mbuluar fal një marrëveshje të arritur ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë së sigurimeve.

Futbollisti i Prishtinës, Kreshnik Uka, i cili është duke u rikuperuar nga lëndimi, ka treguar për KosovaPress, përvojën e tij mbi atë nëse po i mbulohen shpenzimet e nevojshme për shërimin e tij.

“Dy sezone më parë federata ka filluar t’i mbulojë shpenzimet për çdo sportist, çfarëdo lëndimi që ka, diku është shumë nëse nuk gaboj deri në 10 mijë euro, çfarëdo lloj operacioni ose lëndim ose barna, ndërsa vitin e kaluar unë e kam pasur lëndimin në gju, ligamentin anësor dhe të gjitha shpenzimet janë kryer nga federata në koordinim me klubin. Para disa viteve ka pasur shumë lojtarë që janë lënduar dhe ndoshta e kanë përfunduar karrierën për shkak se nuk kanë pasur kushte të hyjnë në operim ndërsa tani është shumë e lehtë. Për lojtarët që lëndohen është shumë e vështirë, mirëpo kur dihet që pjesa e mbulimit të shpenzimeve është e kryer nga federata, mendoj që është gjysma e së keqes”, ka thënë Uka.

Përveç Superligës, sigurimi shëndetësor vlen edhe për Ligën e Parë. Lulzim Kolgeci nga klubi i futbollit Suhareka, ka thënë se të gjitha rastet e lëndimeve që i kanë në skuadër, po mbulohen 100 përnd nga sigurimi shëndetësor.

“Kemi pasur raste, mund t’i ceku tri raste ku gjatë ushtrimeve portieri ynë Arianit Kuçi është lënduar, ka thyer gishtin, ka kryer operacion kirurgjik në spitalin amerikan dhe të gjitha shpenzimet i ka bartur federata, apo kompania e sigurimit. Kjo bëhet përmes listës, e dërgojmë në federatë listën e lojtarëve me kontratë të cilët janë tek ne dhe mandej federata përmes ID-ve lëshon disa polica të sigurimit dhe me atë lojtarët shkojnë incizimet magnetike, në këtë rast kemi pasur një operim të dorës dhe ka kaluar me sukses. Në rast të lëndimit, e kemi rastin tjetër, lojtari Erion Kuçi e ka lënduar miniskusin në ndeshjen kundër Rahovecit para dy javësh, shkon lojtari, i merr faturat në kompani të ndryshme të mjekësisë dhe me ato fatura paraqitet në klub, klubi i dërgon i dërgon në federatë dhe kryhet pagesa”, ka thënë Kolgeci.

Për më tepër, kjo skemë vlen edhe për Ligën e Parë në futbollin e femrave, gjë e cila konfirmohet nga Murat Murati nga Klubi i Futbollit të femrave “Ulpiana 1992”.

“Neve deri më tani disa lojtare kanë përfituar për shkak të lëndimeve të lehta, kryesisht për fizio dhe barna, mirëpo e kemi edhe një rast ku një lojtare e jona ka pasur këputje të ligamentit dhe miniskusit, është bërë operacion dhe në vlerë rreth 5 mijë euro janë mbuluar të gjitha shpenzimet nga sigurimi pa asnjë problem dhe në kohë rekorde. Nuk ka pasur nevojë as të bëhet pagesë as asgjë, vetëm i ka dërguar polisat në njërin nga spitalet të cilat janë pjesë e atij sigurimit të Sigalit. Gjithçka mbulohet nga sigurimi, e mandej në fazën tjetër lojtarja në fjalë i ka bërë edhe fiziot, e për fizio i ka dërguar pastaj në Sigal dhe pas një kohe, afërsisht dy-tri jave ia kanë kthyer mjetet të cilat i ka harxhuar për trajtim të lëndimit”, ka deklaruar Murati.

Madje, Murati ka kërkuar që ky program të shtrihet edhe në kategoritë tjera të futbollit në Kosovë.

“Uroj që ky program të vazhdojë, është jashtëzakonisht profitabile për futbollistët, klubet por edhe për vet federatën pasi që anëtarët e tyre, sportistët e Kosovës e ndjejnë veten më të sigurt dhe natyrisht që këto raste të them të drejtën neve si klub është e vështirë ta sigurojmë një vlerë rreth 5 mijë euro për shërimin e një lojtareje. Uroj që edhe kategoritë e reja edhe ligat tjera si ligat e treta apo edhe në ligat e futsallit dhe të gjitha kategoritë në të ardhmen të jenë përfituese sepse është një skemë e jashtëzakonshme e cila ndihmon sportistët e në veçanti futbollistët dhe futbollistet e Kosovës”, tha në fund ai.

Ndryshe, Federata e Futbollit të Kosovës nisi me ofrimin e sigurimeve shëndetësore të futbollistëve në shtator të vitit 2022, pas arritjes së marrëveshjes me kompaninë e sigurimeve “Sigal Uniqa Group Austria”