Si të përgatitni salcën perfekte me 4 djathra
Gatimi i salcës së makaronave kërkon fantazi ndaj shumë mirë mund të cilësohet art në kuzhinë.
Lifestyle
Përgatitja e salcës nuk është diçka që mund të bëhet pa vëmendje dhe përkushtim.
Kombinimet e salcave dhe makaronave janë aq të larmishme sa do të mundësonin vakte të shijshme për shumë ditë me radhë.
Salcat shoqëruese të makaronave i gjejmë në shije dhe paketime të ndryshme.
Njëra në veçanti është shumë e preferuar nga konsumatorët, ajo e katër djathërave.
Përgatitja e kësaj salce është një aktivitet i këndshëm në kuzhinë dhe mundëson lirinë e të eksperimentuarit.
Kjo do të thotë se në përgatitjen e kësaj salce mund të zgjidhni llojet e djathërave që dëshironi pra, djathë të vjetëruar në vend të Parmixhanos, djathë Fontina, djathë Gruyere e si të keni dëshirë.
Përbërësit:
1 filxhan çaji qumësht me yndyrë të plotë
85 gramë djathë Gorgonzola Dolce
85 gramë djathë Fontina
Një majë luge çaji arrëmyshk pluhur
Një majë luge çaji piper të bardhë
Treçerek filxhan çaji djathë Parmixhano
Gjysëm filxhan çaji djathë Pecorino Romano
Kripë të trashë
Përgatitja:
Vendosni tenxheren në zjarr dhe kur uji të marrë valë hidhni makaronat.
Makaronat më të përshtatshme për salcën e bardhë të katër djathrave janë: Penne dhe Farfalle.
Ndërkohë që makaronat ziejnë, në një tenxhere tjetër hidhni qumështin dhe lëreni të ngrohet në temperaturë mesatare.
Më pas, shtoni djathërat Gorgonzola dhe Fontina. Përziejini vazhdimisht me lugë druri deri sa të shkrihen dhe e gjithë masa të jetë homogjene.
Shtoni më pas arrëmyshkun dhe piperin e bardhë.
Kulloni makaronat dhe kthejini sërish në tenxhere.
Hidhni sipër tyre qumështin me djathërat por edhe djathin Parmixhano dhe atë Pecorino.
Përziejini mirë deri sa salca të trashet plotësisht dhe makaronat të jenë të mbuluara me të.
Shtoni kripë dhe piper sipas preferencës dhe servirini të ngrohta. /Lajmi.net/