Si nuk u vërejt për 2 javë zhdukja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Mbi 2.1 milionë euro janë 'avulluar' nga Thesari i Shtetit.

Lajme

21/10/2020 16:31

Këtë e ka bërë të ditur edhe vet ministrja e Financave, Hykmete Bajrami e cila para mediave ka bërë të ditur se bëhet fjalë për saktësisht 2.1 milionë euro që kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik.

E këto transaksione kanë ndodhur më datë 9 tetor, do të thotë 12 ditë nga sot. E ministrja Bajrami dhe nga ministria e Financave kanë pritur raportimet në media për t’u deklaruar lidhur me zhdukjen e këtyre parave.

Ministrja Bajrami ka bërë të ditur se krimet kibernetike po merren me të dhe deri më tani janë suspenduar dy zyrtarë, por megjithatë ka treguar se transaksionet kanë ndodhur me 9 tetor.

“Në një të ardhme të afërt do të japim raporte të detajuara. Kemi një kërkesë nga prokurorja që të mos japim informata që të mos dëmtohet procesi. Njëri nga zyrtarët është suspenduar sepse ka qenë vijë raportuese. Tjetri është eprori i tij. Transakcionet kanë ndodhur më 9 tetor, dhe janë bërë pagesa në emër të këtij operatori privat. Ministria e linjës ka pyetur thesarin nëse ky është një vendim gjyqësor, janë bërë verifikimet dhe është bërë denoncimi i rastit”, ka thënë ajo para mediave.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se institucionet po tentojnë të mjetet t’i kthehen buxhetit të Kosovës, derisa rastin e ka konsideruar si të izoluar. /Lajmi.net/