Si mund të ndodhë pajtimi Kosovë-Serbi sipas Kurtit? (Video)

Shqipëria e Serbia nuk mund të pajtohen në emër të Kosovës dhe popullit shqiptar sepse Serbia i ka borxh të madh Kosovës dhe, për këtë, Beogradi duhet të kërkojë falje.

Lajme

02/06/2015 15:56

Kështu shprehet ish lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti në një interviste ekskluzive për A1 Report, i pyetur për mundësitë e ndonjë ndryshimi historik në raportet Kosovë-Serbi.

Kurti është shprehur skeptik se mund të ndodhë një pajtim i tillë mes dy vendeve, duke i njohur qëndrimet e kryeministrit aktuale serbe, Aleksandar Vuçiq.

“Unë besoj që nuk janë pajtuar, mirë po në të njëjtën kohë edhe nëse janë pajtuar këtë nuk mund ta bëjnë në emër të Kosovës dhe të popullit shqiptar, për shkak se Serbia i ka shumë borxh Kosovës. Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës dhe duhet të paguajë dëmet e luftës. Duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe vetëm asisoj mund të krijohen kushtet që të ketë me të vërtetë një farë pajtimi në të ardhmen, por duke njohur Vuçiçin dhe Beogradin, unë nuk kam shpresa se kjo do të mund të ndodhë së shpejti”, thotë Kurti.

I pyetur lidhur me vizitën e kryeministrit serb Aleksander Vuciç në Tiranë në 27 maj dhe afrimin me shqiptarëve e serbëve, Kurti thotë se i takon Serbisë të kërkojë pajtimin e jo shqiptarëve.

“Le ta kërkojë pajtimin Serbia dhe ne le t’i përgjigjemi asaj që kërkesa për pajtim duhet të paraprihet nga kërkim falje. Së dyti tek kjo analogjia me Gjermaninë dhe Francën është e rëndësishme se shqiptarët janë si Franca apo si Gjermania. Mendoj që shqiptarët në këtë rast do duhej të ishin sikur Franca në kuptimin që Serbia e pati Millosheviçin ashtu siç e pati Gjermania Hitlerin ndërkaq shqiptarët ishin ata që përjetuan gjenocidin. Ndërkohë që këtu ky nuk është rasti meqë se në kushtetutën e Serbisë shkruhet që Kosova është pjesë e Serbisë dhe në një farë mënyrë deklaratat e Vuçiçit se Kosova është e Serbisë në Tiranë janë detyrim kushtetues i tij”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq ish lideri i Vetëvendosjes ka komentuar edhe lidhur me projektet e përbashkëta rajonale për të cilat u diskutua në forumin ekonomik të Vjenës që u mbajt javën e kaluar në Tiranë duke vënë theksin se duhet më shumë bashkëpunim mes Shqipërisë e Kosovës.

“Mendoj që edhe Kosova dhe Shqipëria duhet të integrohet, afrohen dhe bashkohen me njëra tjetrën. Numri i takimeve dhe i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë më i madh sesa i takimeve dhe marrëveshjeve rajonale. Integrime rajonale nuk na leverdisin për shkak se këto integrime rajonale po bëhen duke harruar historinë, duke mos konsideruar Serbinë si kriminale në të kaluarën e saj në trojet shqiptare dhe në anën tjetër ato janë në dobi të Serbisë meqenëse Serbia është forcë e fuqishme prodhuese. Këto autostrada, këto zhvillime infrastrukturore do t’i shërbejnë më së shumti prodhimit të saj dhe në marrëdhëniet me fqinjët – ne do duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit, asnjëherë duke mos e harruar historinë”, u shpreh ish-lideri i Vetëvendosjes.

Kurti komentoi edhe mbi sulmin në Kumanovë në Maqedoni, duke akuzuar Serbinë për përfshirjen e saj në favor të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski.

YouTube player