Si mund ta lehtësojmë ngarkesën tonë mendore?

Nëse kemi shumë punë për të kryer duhet të fillojmë me ata të cilat janë më prioritare.

Lifestyle

19/09/2021 16:11

Kur flasim për ngarkesë mendore nuk kemi parasysh ekzekutimin e detyrave dhe përgjegjësive brënda një vendbanimi, por të menduarit pa limit rreth tyre: duhet të regjistroj vajzën në kursin e dansit, duhet te dorëzoj projektin, duhet të marr nënën në telefon t´ia kujtoj orarin e ilaçeve, duhet të organizoj pushimet e vetme, e të gjitha këto brenda një dite. Atëherë, si mund të veprojmë për ta lehtësuar këtë barrë?

Planifikimi, menaxhimi dhe ndarja e detyrave brenda shtëpisë nuk është diçka e lehtë, aq më tepër në një kulturë si e jona ku rolet shoqërore anojnë drejt steriotipive (detyra të cilat u atribuohen femrave në mënyrë të pavetëdijshme) dhe shprehja e frustacionit (ndjenja negative, moskënaqësi apo lodhje emocionale) banalizohet nga fraza të tilla si nuk je duke bërë ndonjë gjë të madhe…. këtë punë kanë gratë, shkruan IconStyle.

Në këtë artikull nuk do ndalemi rreth historikut apo të dhënave statistikore mbi këtë fenomen, por do të japim disa orientime të dobishme se si mund ta lehtësojme ngarkesën tonë mendore, transmeton lajmi.net.

1. Duhet të flasim me partnerin ose me personin me të cilin bashkëjetojmë se çfarë është thelbësore për t´u kryer në rezidencën tonë dhe më pas në cilin aspekt të punëve kemi nevojë për ndihmë. Asnjë nuk është i aftë që të lexoj mendimin e tjetrit dhe për këtë arsye nuk duhet të pretendojmë që të na kuptojnë në heshtje. Ndarja e përgjegjësive duhet të shkojë drejt barazimit duke kuptuar se cilën gjë dimë të bëjmë më mirë. Pikat e takimit arrihen vetëm nëpërmjet bashkëbisedimit.

2. Nëse kemi shumë punë për të kryer duhet të fillojmë me ata të cilat janë më prioritare. Në fund, duhet të kënaqemi me rezultatin e detyrave që kemi përfunduar e jo të mërzitemi për ata punë dytësore që nuk i kemi mbaruar. Përgëzojeni veten për atë që keni arritur!

3. Një aspekt tjetër që po i shtohet ngarkesës mendore është edhe krahasimi me të huajt, sidomos në një botë virtuale si e jona ku identifikohemi me lumturinë fiktive të të tjerëvë: trupi perfekt (ju pyetni veten: ku e gjejnë kohën për të bërë të gjithë këtë), fytyra të qeshura (unë nuk kam kohë të marr frymë) apo një çift gjithmonë i përqafuar (mua burri nuk më pyet as «a u lodhe»). Kontakti me këtë botë virtuale, jo reale, mund të na demoralizojë pa e kuptuar dhe të na bëjë të mendojmë gjatë rreth tyre (energji e shpenzuar kot), prandaj gjeni oazin e kënaqësisë tek bota juaj e vogël, tek pizhamat e reja që keni blerë, tek libri i fundit që keni lexur apo tek biseda e këndshme dhe e sinqertë me një mik të mirë! /Lajmi.net/