Si do të rreshtohet sonte Kosova në fushë kundër Irlandës?
Irlanda dhe Kosova përballen sonte në një ndeshje me rëndësi të madhe për fatin e tyre në Ligën e Kombeve, pasi të dyja kombëtaret synojnë pozitën e dytë në Grupin B3. Për Kosovën, një barazim do të ishte i mjaftueshëm për ta siguruar këtë pozitë, ndërsa Irlanda ka vetëm një alternativë për ta kaluar në…
Sport
Irlanda dhe Kosova përballen sonte në një ndeshje me rëndësi të madhe për fatin e tyre në Ligën e Kombeve, pasi të dyja kombëtaret synojnë pozitën e dytë në Grupin B3. Për Kosovën, një barazim do të ishte i mjaftueshëm për ta siguruar këtë pozitë, ndërsa Irlanda ka vetëm një alternativë për ta kaluar në renditje – fitoren.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Aviva” në Dublin, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të xhiros së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Dardanët udhëtojnë drejt Irlandës me një pikë më shumë në renditje dhe me mundësinë që ta mbyllin këtë edicion në pozitën e dytë, e cila siguron pjesëmarrjen në ndeshjet e plejofit për promovim në Ligën A. Ndërkohë, fitorja është e domosdoshme për irlandezët, të cilët vetëm me tri pikë mund ta parakalojnë Kosovën.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, synon që skuadra e tij ta ruajë epërsinë në renditje dhe ta përmbyllë me sukses këtë edicion, pas barazimit pa gola ndaj Izraelit në ndeshjen e kaluar.
Në përballjen e parë mes këtyre dy kombëtareve, të zhvilluar në Prishtinë, Kosova kishte triumfuar me rezultat 1:0, ndërsa tashmë synon të konfirmojë epërsinë edhe në udhëtim.
Sa u përket formacioneve, Kosova pritet të luajë me skemën 4-2-3-1, me Amir Saipin në portë, ndërsa Vedat Muriqi do të jetë në krye të sulmit. Në anën tjetër, Irlanda pritet të paraqitet me sistemin 3-5-2, ku në repartin ofensivë pritet të jenë Troy Parrott dhe Adam Idah.
Formacionet e mundshme:
Irlanda (3-5-2): Caoimhin Kelleher, Dara O’Shea, Nathan Collins, Liam Scales, James Abankëah, Jack Moylan, Jayson Molumby, Finn Azaz, Ryan Manning, Troy Parrott, Adam Idah.
Kosova (4-2-3-1): Amir Saipi, Lindrit Kamberi, Ilir Krasniqi, Kreshnik Hajrizi, Dion Gallapeni, Lindon Emerllahu, Leon Avdullahu, Mërgim Vojvoda, Milot Rashica, Baton Zabërgja, Vedat Muriqi.