Shpallen aktgjykimet në Hagë ndaj Thaçit dhe katër të tjerëve, ky është vendimi për secilin

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimet ndaj Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin për administrim të drejtësisë. Ish-presidenti Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, pasi është shpallur fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për një tjetër…

Lajme

17/11/2026 11:03

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimet ndaj Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin për administrim të drejtësisë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, pasi është shpallur fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për një tjetër akuzë për mosbindje është shpallur i pafajshëm.

Bashkim Smakaj është dënuar me 12 muaj burgim, ndërsa dënimi i konsiderohet i shlyer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim. Ai do të lirohet pas përfundimit të seancës.

Fadil Fazliu gjithashtu është dënuar me 12 muaj burgim, por do të lirohet sot, pasi koha e kaluar në paraburgim e mbulon dënimin e shqiptuar.

Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë, por fajtor për mosbindje ndaj gjykatës. Ai është liruar për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.

Ndërkaq, Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe.

Të pesë të akuzuarit ishin përballur me akuza që lidheshin me pretendimet për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Prokuroria kishte paraqitur si prova rreth 28 orë incizime nga nëntë vizita që Thaçi kishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023. Mbrojtja kishte kundërshtuar interpretimin dhe besueshmërinë e këtyre incizimeve. /Lajmi.net/