Si arriti Mefail Shkodra me djemtë t’i marrë jetën tre personave në qendër të qytetit dhe si e njihnin të gjithë për fajdexhi?- ja çka dihet

Të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan dje në qendër të Gjilanit nuk ishin thjesht të shtëna në ajër- ato i morën jetën tre personave. Selami Hasani, Edmond Hasani (babë e bir), si dhe Abedin Hoxha që njihet si dhëndër i tyre vdiqën si shkak i këtyre të shtënave. Derisa Selami Hasani dhe djali…

Lajme

11/08/2025 08:50

Të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan dje në qendër të Gjilanit nuk ishin thjesht të shtëna në ajër- ato i morën jetën tre personave.

Selami Hasani, Edmond Hasani (babë e bir), si dhe Abedin Hoxha që njihet si dhëndër i tyre vdiqën si shkak i këtyre të shtënave.

Derisa Selami Hasani dhe djali i tij vdiqën në vendin e ngjarjes, Hoxha u njoftua se ndërroi jetë në spital derisa Bujar Hoxha vazhdon të jetë i shtrirë në spital, si shkak i plagëve të rënda të marra në këtë rast.

Por kush qëndron prapa këtij rasti?

Mefail Shkodra, apo i njohur në publik si fajdexhia i Gjilanit është pikërisht emri i njohur që tanimë është në kërkim për vrasjen e trefishtë.

Por jo vetëm Mefail Shkodra. Në kërkim bashkë me të janë edhe dy djemtë: Edmond dhe Engjull Shkodra.

Shkodra nga Velekinca e Gjilanit është në kërkim që nga dita e djeshme derisa u tha se janë njoftuar të gjitha pikat kufitare e ndërkombëtarë në lidhje me mundësinë për ta identifikuar vendndodhjen e tij.

Edhe pse dyshohet se deri tek rasti erdhi si shkak i fajdes, gjë për të cilën nga familja Hoxha e kishin raportuar edhe rastin në Polici e Prokurori javë më parë.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje të konfirmuar në lidhje me motivin që ka çuar deri tek ky rast tragjik, dje në një konferencë për media u dhanë edhe informacione shtesë.

Drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi deklaroi se në rastin e vrasjes, një person është arrestuar në vendin e ngjarjes.

Ai tha se në kërkim ndodhen edhe tre personat e tjerë nga familja Shkodra.

“Personi i katërt është arrestuar në vendin e ngjarjes pasi janë duke u hetuar të gjitha veprimet nëse i njëjti mund të ketë ndërlidhje në këtë rast. Tre personat janë shpallur në kërkim policor, është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë lajmëruar në pikat kufitare. Policia ka ndërmarrë tri kontrolla me dyshimin që mund të jenë personat e dyshuar, “ekipet janë në terren”, shtoi ai.

Por është pikërisht Mefail Shkodra që ishte bërë i njohur për organet e sigurisë, hetuesisë e të drejtësisë.

Shkodra zyrtarisht ngarkohet me të kaluar të bujshme kriminale, e ishte pjesë e llojlloj precedentësh penale.

“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm në pesë raste, prishje e rendit dhe qetësisë publike në dy raste, fajde në tri raste, mashtrim në një rast, kërcënim në tri raste, shantazh një rast, detyrim në dy raste. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion”, tregoi Rukiqi, duke thënë se Shkodra gjithsej i ka 31 raste.

“Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”, tha ai.

E në lidhje me këtë çështje, prokurori i rastit Isuf Sadiku, tha se është ende herët të dilet me qëndrime për motivet që quan deri tek vrasja.

Ai tha se siguron që rasti do të trajtohet me profesionalizëm dhe seriozitet nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Por është pikërisht Mefail Shkodra i cili ishte arrestuar para një viti dhe i njëjti nuk qëndroi në burg më tepër se 4 muaj – si i paraburgosur.

E siç duket atij i mjaftuan pak muaj që t’i kthehet avazit të vjetër këtë herë duke kaluar në një staz edhe më të rrezikshëm, atë të vrasjes. Madje qytetarët e Gjilanit e kishin të njohur emrin e figurën e Mefail Shkodrës që ishte shndërruar në njeri shantazhues e fajdexhi që për veti po rriste pasurinë, e që çuditërisht ishte liruar nga paraburgimi brenda një kohe të shkurtër- por të njëjtit s’kishin s’i t’ia bënin me të.

Ndryshe familjarët e njërit nga të vrarët në vrasjen e trefishtë në Gjilan njoftuan se familjari i tyre, Abedin Hoxha, do të varroset sot.

“Të dashur familjarë, miq dhe qytetarë, me dhimbje të thellë e me zemra të thyera ju njoftojmë që babai, vëllau, daja dhe familjari ynë i dashur Abedin Mehmetali Hoxha, dje, ndërroi jetë në rrethana të rënda tragjike në Gjilan. Për varrimin e tij ju njoftojmë nesër”, thuhej në njoftimin e familjes./Lajmi.net/