Shtyllat e Cikalleshit, rekord në kualifikueset e Euro 2016
Sokol Cikalleshi është rekordmeni i shtyllave të goditura gjatë ndeshjeve kualifikuese drejt evenimentit në Francë.

Sport
Asnjë gol me Kombëtaren shqiptare në 14 ndeshje të luajtura.
Megjithatë, Sokol Cikalleshi mbetet pika e referimit në sulmin kuqezi, për duelet me kundërshtarët dhe hapësirat që krijon për shokët e ekipit.
Edicioni i 25-vjeçarit është shoqëruar nga mungesa e fatit, me katër shtylla të goditura, të cilat i kanë shtyrë festën e golit.
Një prej shtyllave të Cikalleshit u regjistrua në miqësoren me Italinë, ndërsa tre të tjera në sfidat kualifikueseve të Euro 2016, shkruan “Supersport.al”.
Dy herë i pafat në fitoren me Armeninë në Elbasan Arena dhe sërish shtyllë në takimin e humbur në shtëpi përballë portugezëve. Me këto statistika, Sokol Cikalleshi është rekordmeni i shtyllave të goditura gjatë ndeshjeve kualifikuese drejt evenimentit në Francë.
Statistika bëhet publike nga UEFA, që thekson se ashtu si sulmuesi kuqezi, nga tre herë shtyllën e kanë goditur edhe malazezi Dejan Damjanovic dhe sulmuesi i Italisë, Sebastian Giovinco.
Megjithë mungesën e golit, kavajasi mbetet titullari i padiskutueshëm në Kombëtaren shqiptare. Impenjimi i madh në fushë dhe aftësia për të ngritur skuadrën në momente të vështira, janë cilësitë që vlerësohen më së shumti nga trajneri Gianni De Biasi.