Shtyhet rregullimi i pjesës së rrugës ku ndodhi tragjedia, kjo është arsyeja

Në zonën e tragjedisë, njëra korsi në autostradën e Strumës është ende e mbyllur. Qarkullimi vazhdon tjetërkah.

Lajme

25/11/2021 14:52

Rregullimi i supërfaqes së rrugës është shtyrë, pasi po vazhdon inspektimi i grupit të përbashkët punues, i caktuar me urdhër të ushtrueses së detyrës së ministres rajonale, Violeta Komitova, raporton BNT.

Ata kanë edhe dy ditë kohë për ta përgatitur një raport gjithëpërfshirës për gjendjen e infrastrukturës rrugore në zonën e aksidentit të rëndë. Kontrollohet mbulesa e asfaltit dhe shtresa e saj, si dhe nëse pjerrësitë, kthesat dhe zhvendosjet janë sipas standardeve.

Do të bëhet kontrolli i gjendjes së shenjave rrugore, shenjave që reflektojnë dritën, cilësisë së parmakëve (mbrojtëseve anash rrugës) dhe llojit të tyre, nëse janë në përputhje me kushtet karakteristike të këtij seksioni rrugor, si dhe lartësinë dhe elementët e tjerë të vetë parmakëve.

Sipas informacioneve zyrtare, të cilat u dhanë sot nga ata që po e kryesojnë hetimin për tragjedinë në Bullgari, 44 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.

Në mesin e viktimave të aksidentit kishte edhe fëmijë.

Shtatë të mbijetuar po trajtohen ndërkohë në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje, si pasojë e djegieve. Disa nga ta janë operuar, dhe sipas mjekëve, asnjëri nga ta nuk e ka jetën në rrezik.

Në autobus besohet se kanë qenë mbi 50 persona.