​Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e Diana Kastratit, mbrojtja thotë se nuk ka pasur qasje në dosje

Seanca e shqyrtimit kryesor ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit në vitin 2011, është shtyrë për 23 dhjetor, në orën 09:00. Procesi gjyqësor po zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati. Shtyrja është bërë me kërkesë të avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku, i cili deklaroi se nuk ka…

Lajme

10/11/2026 11:03

Seanca e shqyrtimit kryesor ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit në vitin 2011, është shtyrë për 23 dhjetor, në orën 09:00. Procesi gjyqësor po zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati.

Shtyrja është bërë me kërkesë të avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku, i cili deklaroi se nuk ka pasur qasje në shkresat e lëndës dhe në dokumentacionin e rastit, pavarësisht se, sipas tij, autorizimin për përfaqësimin e Jasharit e kishte dorëzuar që në fazën e procedurës paraprake.

Millaku tha se nuk është përfshirë në asnjë veprim procedural gjatë fazave para ngritjes së aktakuzës. Ai theksoi se aktakuzën e ka pranuar vetëm sot nga gjykata, ndonëse ajo mban datën 30 nëntor 2023.

“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnon Jashari e kam dorëzuar në procedurë parapenale dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë në policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi. Me 48-orëshin e parë që i bie nga viti 2011, organet e ndjekjes kanë pasur edhe adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë, të ligjshëm, duke mos cenuar as dispozitat e kodit të atëhershëm dhe Kodit të Procedurës Penale.

Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, nuk jam trajtuar ashtu siç e kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural në fazat para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumentet dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata, e cila mban datën 30/11/23. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi”, tha ai.

Avokati kërkoi ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj për një afat të arsyeshëm, në mënyrë që të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës dhe të përgatitet për mbrojtjen e të akuzuarit.

“Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresa të lëndës në rrugë ligjore dhe zyrtare; të shtyhet për një kohë të arsyeshme, për të cilën unë do të jem në nivel të detyrës, duke kuptuar peshën dhe rëndësinë e kësaj çështjeje, që drejtësia të shkojë në vend, qoftë për palën e dëmtuar, qoftë për të akuzuarin. Kërkoj që ju, e nderuara kryetare, të njoftoni KPK-në për kërkesat dhe vërejtjet e mia se përse kjo çështje nuk ka shkuar në rrugë ligjore”, kërkoi ai.

Ndërkaq, prokurorja Fatmire Cacaj deklaroi se shkresat e lëndës i janë dorëzuar avokates Ardita Berisha që në muajin prill të këtij viti, duke shtuar se mbrojtja ka pasur mundësi të interesohet për dokumentacionin.

“E dëgjova me vëmendje sa i përket shkresave të lëndës, të njëjtat janë dorëzuar që nga muaji prill i këtij viti avokates Ardita Berisha. Nga ajo kohë deri më tani avokati ka pasur mundësinë që të interesohet sa i përket shkresave të lëndës, megjithatë është e drejtë e tij që duhet të pajiset dhe t’i ketë para vetes”, tha ajo.

Rasti është rikthyer në shqyrtim gjyqësor 15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, ndërsa i akuzuari Adnon Jashari ndodhet në arrati që nga dita e ngjarjes.

Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, vrasja kishte ndodhur në afërsi të shtëpisë së prindërve të viktimës, ku ajo jetonte pas prishjes së marrëdhënies me ish-bashkëshortin jashtëmartesor, Adnon Jashari, me të cilin kishte edhe një fëmijë.

Në aktakuzë thuhet se Diana Kastrati dhe babai i saj kishin kërkuar urdhër mbrojtjeje nga gjykata, pasi i pandehuri dyshohet se gjatë 2 viteve para vrasjes e kishte keqtrajtuar vazhdimisht fizikisht dhe psikologjikisht.

Sipas Prokurorisë, një ditë para ngjarjes tragjike, i akuzuari kishte tentuar ta bindte viktimën që, kundër vullnetit të saj, të kthehej për të jetuar në shtëpinë e tij.

Aktakuza përshkruan se më 18 maj 2011, pasi e kishte përcjellë paraprakisht Diana Kastratin, i pandehuri dyshohet se i kishte zënë rrugën papritur dhe kishte tentuar ta merrte me vete duke përdorur dhunë.

Sipas aktakuzës, pasi viktima kishte refuzuar dhe kishte tentuar të largohej, Jashari, i shtyrë nga hakmarrja dhe me dashje për ta privuar nga jeta, dyshohet se kishte nxjerrë revolen dhe kishte shtënë 2 herë në drejtim të saj.