Shqiptarët, fuqia e Zvicrës

Dikur ishin vetëm një skuadër modeste, por sot, nën drejtimin e një trajneri të mirënjohur si i ashtuquajturi ‘Gjeneral’, Ottmar Hitzfeld, Zvicra është shndërruar në një ekip jashtëzakonisht të fuqishëm. Ku qëndron sekreti i suksesit? Pa dyshim, tek numri i shumtë i futbollistëve kualitativ të natyralizuar në zviceranë, në mesin e tyre yje të futbollit…

Sport

04/12/2013 11:29

Dikur ishin vetëm një skuadër modeste, por sot, nën drejtimin e një trajneri të mirënjohur si i ashtuquajturi ‘Gjeneral’, Ottmar Hitzfeld, Zvicra është shndërruar në një ekip jashtëzakonisht të fuqishëm.

Ku qëndron sekreti i suksesit? Pa dyshim, tek numri i shumtë i futbollistëve kualitativ të natyralizuar në zviceranë, në mesin e tyre yje të futbollit të sotëm si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Gokhan Inler e shumë të tjerë.

“Kur Uli Hoeness më tha: ‘Çka do të bësh, po shkon në Zvicër? Nuk do të bëhesh kurrë kampion i botës’. Unë iu përgjigja se dua të punoj në një vend ku mund të lë gjurmë, ky është synimi im dhe mendoj se ia kam arritur”, deklaroi Hitzfeld gjatë një interviste për televizionin Eurosport.

“Ndjej një lidhje me këtë vend edhe për faktin se kam lindur afër kufirit me Zvicrën”, shtoi ai.

Strategu gjerman pranon se shtylla e skuadrës së tij, dhe shpresa kryesore për paraqitje pozitive në Kampionatin botëror 2014 do të jenë Shaqiri, Xhaka dhe të tjerët.

“Zvicra ka ditur ta shfrytëzojë mirë atë që ishte migrim nga shtetet e tjera, kultura tjera, gjuhë tjera, mentalitet tjetër. Kemi futbollistë nga Kosova nga Shqipëria, nga Afrika që kanë sjellë gjithçka nga vetja. Ne nuk jemi shtet si Spanja, Anglia ose Italia dhe duhet t’i pranojmë këto përzierje. Për këtë arsye në ekipin tonë ka vend për futbollistë si Shaqiri e Xhaka”, theksoi Hitzfeld.

Zvicra u kualifikua me lehtësi për në Kampionatin botëror 2014 në Brazil.

“Do të shkojmë në një shtet ku futbolli është jetë si Brazili. Objektivi ynë është të kalojmë grupin, pastaj të shohim”, u shpreh ai.

Kujtojmë se përveç Shaqirit dhe Xhakës, futbollistët e tjerë shqiptarë, anëtarë të Zvicrës janë edhe Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Pajtim Kasami e Admir Mehmedi.