“Shqipëria në një moment vendimtar”, ministri gjerman mesazhe politikës dhe drejtësisë gjatë takimeve në Tiranë

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ishin në fokus të bisedave që Ministri i Jashtëm gjerman zhvilloi gjatë takimeve me kryeministrin Edi Rama, ministren Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit të Integrimit, Taulant Balla dhe Jorida…

Lajme

23/01/2026 16:43

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ishin në fokus të bisedave që Ministri i Jashtëm gjerman zhvilloi gjatë takimeve me kryeministrin Edi Rama, ministren Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit të Integrimit, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kryetarin e Grupit të PD-së Gazment Bardhi si dhe me kreun e SPAK, Klodian Braho.

Ministri gjerman theksoi se Gjermania dëshiron ta shohë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian, duke u pozicionuar njëkohësisht si mike, mbështetëse dhe kritike në këtë proces.

“Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë”, u shpreh Krichbaum.

Ai theksoi se Shqipëria ndodhet aktualisht në një moment vendimtar, ku rruga drejt BE-së duhet të vijojë me vendosmëri, përmes zbatimit të thelluar të reformave.

“Shqipëria në një moment vendimtar”, ministri gjerman

“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Për këtë qëllim, sipas tij, “lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave,  si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese”.