Shqipëria me 4 mijë tifozë kundër Francës
Kombëtarja shqiptare do të ketë përkrahjen e 4 mijë tifozëve që do të jenë prezent në Rennes për ndeshjen miqësore kundër Francës.

Sport
Shqipëria nuk do jetë vetëm sonte në Rennes të Francës, aty ku në orën 20:45 do të zhvillohet takimi miqësore me futbollistët e Didier Deshamps.
Sipas të dhënave gati zyrtare, pritet që në stadium të ketë më shumë se 4 mijë tifozë shqiptarë, raporton “Panorama Sport”.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe grupimi “Tifozat Kuq e Zi”, sipas të cilëve pjesëtarë të tyre anekënd Evropës kanë konfirmuar se do të jetë të pranishëm në këtë ndeshje. Kjo shifër ka dalë edhe nga shitja e biletave, si nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, prej “Tifozave Kuq e Zi” dhe informacioneve të tjera jo zyrtare.
Duhet thënë se edhe në takimet e tjera shqiptarët e kanë përkrahur ekipin e tyre thuajse në çdo udhëtim, duke filluar që nga Ukraina e largët e deri tek Islanda, ku edicionin e shkuar skuadra jonë u mbështet nga një numër i konsiderueshëm tifozësh në humbjen 2-1 në Reikjavik.
Përveç kësaj, duhet thënë se në asnjë rast kuqezinjtë nuk kanë qenë problematikë për sigurinë e skuadrës vendëse, në ndryshim total me serbët më 14 tetor.