Shqipëria, Kosova dhe RMV me raportin më të lartë të vdekjeve të shtuara gjatë pandemisë

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë ndër shtetet me raportin më të lartë të vdekjeve të shtuara në Evropë gjatë periudhës së pandemisë. Kështu thotë një studim i publikuar së fundmi në gazetën “eLife”, që analizon të dhënat e përvitshme për sa i përket vdekshmërisë në raport me periudhën nën pandemi.

Lajme

05/08/2021 20:23

Prej nisjes së pandemisë në dhjetor 2019, Universiteti amerikan Johns Hopkins thotë se afërsisht 4.3 milionë njerëz kanë humbur jetën në botë.

Por të dhënat e universitetit amerikan mbeten paraprake pasi një numër i lartë shtetesh nuk i kanë raportuar shifrat saktë. Shkak janë bërë faktorë si kapaciteti i ulët testues dhe qasja jo e njëjtë se çfarë quhet vdekje nga COVID-19.

The Economist raportoi në muajin maj se numri i vdekjeve nga pandemia mund të  përllogaritet të jetë 7-13 milionë njerëz – dy deri katër herë më i lartë nga çfarë raportohet zyrtarisht nga shtetet.

Por Studiuesit Ariel Karlinsky dhe Dimitri Kobak nga Universiteti Hebre i Izraelit dhe Universiteti Tubingen në Gjermani kanë përllogaritur një shifër më të saktë se kaq për të paktën 103 shtete të botës.

Në studimin e publikuar në “eLife” bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pse shifrat e Karlinskit dhe Kobakut konsiderohen më të sakta?

Studiuesit mblodhën të dhënat e popullsisë dhe vdekjet e raportuara nga autoritetet e 103 shteteve për një periudhë nga viti 2015 deri në vitin 2019.

Me këto të statistika periodike ata përllogaritën shifrat e mundshme të vdekjeve të çdo shteti për vitin 2020 në rrethana të zakonshme – pra pa pandemi.

Këto shifra më pas i vunë në krahasim me numrin e deklaruar të vdekjeve prej COVID-19 ku nxorën në pah vdekjet e tepërta – vdekjet pa rastet e arsyetuara me shkaqe si mosha, sëmundjet, aksidentet apo vrasjet.

Në këtë mënyrë faktori më i lartë i vdekjes për këto raste mund të konsiderohet pandemia.

“Matja e vdekjeve na lejon të monitorojmë dhe parashikojmë një pandemi si COVID-19 për pjesën që prej kapaciteteve kalon pa u testuar dhe raportuar,” – thotë Karlinsky në një deklaratë.

Kjo metodë është përdorur në të shkuarën për të përllogaritur numrin e vdekjeve nga pandemia e gripit spanjoll në vitin 1918.

Studimi nuk përfshin shtete të mëdha si Kina, apo India, megjithatë përmbledh shumicën e vendeve të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Jugut.

Por çfarë thonë shifrat e studimit të Karlinsky dhe Kobakut?

Pesë shtetet me raportin më të lartë të vdekjeve shtesë në Evropë

4 – Kosova pa një rritje me 30% të numrit të vdekjeve shtesë gjatë periudhës së pandemisë. Studimi thotë se kishte një raport prej 150 vdekje të tilla për çdo 100 mijë banorë.

3 – Sllovakia dhe Çekia kishin një rritje me 30% të vdekjeve shtesë. Sllovakia shënoi një raport 310 vdekje të tilla për çdo 100 mijë banorë. Ndërsa Çekia 320.

2 – San Marino me një popullsi prej rreth 33 mijë banorësh raportoi zyrtarisht 90 viktima nga COVID-19. Sidoqoftë sipas studimit pati 110 vdekje shtesë me një rritje prej 42% nga mesatarja dhe një raport 320 vdekje për çdo 100 mijë banorë.

1 – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut patën një rritje me 43% të numrit të vdekjeve shtesë krahasuar me mesataren vjetore. Zyrtarisht deri në mars 2021 në Shqipëri pati rreth 2,200 viktima nga COVID-19, por pati rreth 9,300 viktima që u raportuan nga INSTAT mbi mesataren vjetore.

Më keq u paraqit Maqedonia e Veriut, që radhitet mes 10 vendeve me më shumë vdekje të shtuara në studim, me një raport 420 vdekjesh shtesë për çdo 100 mijë banorë.