​Shqipëri: S’ka më pagesa me para “cash” në turizëm pas 30 majit

Pagesa me para kesh do të mund të jetë problem për të gjithë ata që kanë punë me bizneset e turizmit në Shqipëri, nga qershori i këtij viti e andej. Kjo për faktin se bizneset e kësaj fushe obligohen që deri më 30 maj për të përmbushur detyrimin ligjor që të instalojnë pajisje për pagesa…

Lajme

24/04/2026 11:24

Pagesa me para kesh do të mund të jetë problem për të gjithë ata që kanë punë me bizneset e turizmit në Shqipëri, nga qershori i këtij viti e andej.

Kjo për faktin se bizneset e kësaj fushe obligohen që deri më 30 maj për të përmbushur detyrimin ligjor që të instalojnë pajisje për pagesa elektronike “cashless”.

Kjo datë vlen edhe për shërbimet e transportit dhe institucionet e shoqërisë publike.

Për të gjitha bizneset e tjera, ky afat përfundimtar është 31 dhjetori 2026.

Ndryshimet e fundit të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” synojnë uljen e përdorimit të parasë në dorë, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në transaksionet ekonomike.

Sipas ligjit, bizneset duhet të pajisen me terminale POS, ndërkohë që kufiri i lejuar për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve është ulur nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe reduktimin e evazionit fiskal.

Ndërkohë, për transaksionet “cash” midis individëve dhe subjekteve të vetëpunësuara është vendosur një kufi prej 500 mijë lekësh për të kufizuar qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal.