Nëntë persona arrestohen në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte, aksioni lidhet me “Grupin e intelektualëve”
Nëntë persona janë arrestuar të dielën në Zubin Potok, në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës lidhur me hetimet për krime lufte. Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit dhe është koduar me emrin “Dosja 23”. Në kuadër të…
Lajme
Nëntë persona janë arrestuar të dielën në Zubin Potok, në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës lidhur me hetimet për krime lufte.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit dhe është koduar me emrin “Dosja 23”.
Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, e mbështetur edhe nga njësi të tjera të specializuara policore, ka vepruar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë Speciale dhe Policisë, operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Institucionet kanë bërë të ditur se për detajet e mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik. /Lajmi.net/