Shpresa për Prizrenin

Eqrem Kryeziut i është rritur besimi për fitore në Prizren. Mendon se tani është radha e tij. Thotë se një koalicion me Zafir Berishën do të ishte gjë e mirë, por ende nuk ka asgjë konkrete.

Lajme

12/11/2013 06:11

Eqrem Kryeziut i është rikthyer shpresa për përmbysjen e rezultatit zgjedhor në Prizren, ku ai po përballet në një garë të fortë me rivalin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës.

Besimin për fitore ish Kryetari i  dikurshëm i Prizrenit, mbase, e mbështet në Zafir Berishën, për të cilin u raportua se ka refuzuar ofertën e PDK’së – që i kishte ofruar atij mundësinë për ta ndarë bashkë pushtetit në këmbim të mbështetjes për kandidatin e saj, Ramadan Muja.

Refuzimi i mundshëm i PDK’së shihet si shenjë e një koalicioni eventual mes Zafir Berishës dhe partisë së tij – Bashkimi Demokratik me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ta mbështetur Kandidaturën e Eqrem Kryeziun për Kryetar të Prizrenit, në balotazhin e 1 dhjetorit.

Por, tash për tash, Eqrem Kryeziu thotë se nuk ka një marrëveshje mes tij e Zafir Berishës.

Në një deklaratë për lajmi.net, Kryeziu thotë se arritja e marrëveshjes së koalicionit me partinë e Berishës do të ishte një gjë e mirë.

“Pa dyshim kjo do të ishte një gjë e mirë”.

“Por, ende nuk ka asgjë përfundimtare”.

Kryeziu thotë se para raundit të parë të zgjedhjeve në Prizren u krijua një bllok kundër tij, një koalicion i 6-7 partive, por që sipas tij, rezultati zgjedhor tregoi se ai nuk ishte koaliconi i duhur.

Tani Eqrem Kryeziu thotë se është radha e tij.

“Këtu u bënë 7 parti kundër meje, por PDK doli me 8 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara”.

“Tani është radha jonë për koalicion. Të mos dukemi që po flasim si adoleshentë, por gjasat janë që kësaj radhe të fitojmë ne”.

Kryeziu thotë se për LDK’në është i mirëseardhur koalicioni me Zafir Berishën.

“Është shumë i mirëseardhur për LDK’në koalicioni me Bashkimin Demokratik“.

“Oferta jonë ka qenë deri në atë pikë sa mos të prishet balanca e forcave politike që përbëjnë  qeverinë“.

“Z. Berisha është pajtuar me qasjen time”.

Ndryshe Zafir Berisha mori në raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të këtij qyteti 8.281 vota, ose 12,88 për qind, duke u bërë kështu faktor i rëndësishëm i garës së balotazhit. .

Në raundin e parë, sipas rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ’ja, Ramadan Muja ka marrë 23.761 vota, ose 36.95 për qind, ndërsa Eqrem Kryeziu ka marrë 16.335 vota, ose 25,40 për qind.

Mbështetja e Zafir Berishës për cilindo kandidat mund të jetë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e fituesit.