Shpëton Ronaldo, tërhiqen akuzat për përdhunim

Një grua që ka akuzuar Cristiano Ronaldon për përdhunim, ka tërhequr të gjitha akuzat në mënyrë vullnetare, sipas raporteve në SHBA.

Sport

05/06/2019 10:02

Bloomberg raporton se muajin e kaluar Gjykata Shtetërore e Las Vegasit e mori një njoftim për tërheqje vullnetare të akuzave.

Ky raportim shpjegon më tej se akuzuesja e Ronaldos, Kathryn Mayorga, nuk ka treguar nëse ka arritur marrëveshje jashtë gjykatës me superyllin portugez, përcjell lajmi.net.

Tetë muaj më parë bota e futbollit u shokua, kur Mayorga akuzoi drejtpërdrejt Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar në orët e hershme të 13 qershorit të vitit 2009, në Las Vegas, pasi fillimisht u takuan në një klub nate.

25-vjeçarja kishte raportuar sulmin në policinë e Las Vegasit, por pa publikuar emrin e anësorit të Juventus. Kjo për shkak se ajo kishte frikë nga një personazh publik si ai.

Gjatë muajve në vazhdim, sipas avokatëve të Mayorgas, hetues privat të Ronaldos e kishte gjetur amerikanen dhe i kishin mbajtur shënim të gjitha lëvizjet e saj. Ajo gjithashtu pretendon se avokatët e Ronaldos e kishin detyruar atë të nënshkruante një dokument.

Në atë dokument, Mayorga premtoi se nuk do të fliste kurrë publikisht për incidentin dhe në shkëmbim i mori 375 mijë dollarë. Këtë dokument u nënshkrua edhe nga Mayorga edhe nga Ronaldo në janar të vitit 2010.

Fillimisht, në vitin 2017 Der Spiegel publikoi artikullin që Ronaldo ka përdhunuar një grua, emra e së cilës mbeti anonime – e që dihej për shkak të informatave të shumta që kishte siguruar Football Leaks.

Jorgen Mendes, agjenti i Ronaldos, i kishte mohuar menjëherë këto lajme por nuk akuzoi asnjërën palë për shpifje.

Një vit më pas, Der Spiegel vendosi të publikonte edhe një tjetër artikull, kësaj radhe pa emra anonimë dhe me rrëfimin e plotë të Mayogas.

Akuzat u hodhën poshtë sërish nga ekipi i Ronaldos, por policia e Las Vegas vendosi ta rihetonte edhe njëherë çështjen – ndërsa Gjykata Shtetërore e Las Vegasit ka vendosur përfundimisht ta mbyll njëherë e mirë këtë çështje.

Mayorga e kishte paditur 34-vjeçarin jo vetëm për përdhunim, por edhe për presionin që ia kishte bërë më vonë dhe përcjelljen përmes hetuesve privat. /Lajmi.net/