Shpallet fajtore gruaja që pati sulmuar brutalisht gazetaret e lajmi.net, Gjykata e dënon për sulm dhe kanosje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore Mirvete Baraliun për veprat penale të sulmit dhe kanosjes në rastin e sulmit ndaj gazetareve të lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha. Sipas vendimit të gjykatës, Baraliu është dënuar me 2 mijë euro gjobë për veprën penale të kanosjes, ndërsa për veprën e sulmit është dënuar me një…

Lajme

04/06/2026 09:47

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore Mirvete Baraliun për veprat penale të sulmit dhe kanosjes në rastin e sulmit ndaj gazetareve të lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha.

Sipas vendimit të gjykatës, Baraliu është dënuar me 2 mijë euro gjobë për veprën penale të kanosjes, ndërsa për veprën e sulmit është dënuar me një vit burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda afatit prej dy vjetësh.

Rasti kishte ndodhur më 3 prill 2024 në Prishtinë, derisa gazetaret e lajmi.net dhe kameramani Përparim Tufa po kryenin detyrat e tyre profesionale. Ekipi ishte përballur me sulm fizik dhe kërcënime gjatë dokumentimit të një incidenti në rrugën “C”.

Në mesin e të dëmtuarve ishte edhe gazetarja Lindita Berisha, e cila në atë kohë ishte shtatzënë dhe pas ngjarjes kishte kërkuar trajtim mjekësor në QKUK.

Me vendimin e shpallur sot (4), qershor 2026, rasti ka marrë epilogun e parë gjyqësor, ndërsa gjykata e ka gjetur të akuzuarën përgjegjëse për sulm dhe kanosje ndaj gazetareve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.

Sulmin brutal ndaj dy gazetareve e kishte dënuar asokohe edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) , ku e cilësoi atë si kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.

Po ashtu AGK-ja u pati bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur./Lajmi.net/

Detaje nga rasti i ndodhur më 3 prill 2024:

Sulmohen brutalisht e merren peng gazetaret e lajmi.net