Shkeljet e ministrisë për bukën e ushtarëve të FSK-së

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës brenda një viti ka lidhur tri kontrata me procedurë të negociuar për furnizim me ushqim për FSK-në. Ndërkohë, brenda kësaj kohë të realizimit të kontratave, ministria ka procedurë të hapur të prokurimit për këtë punë, por që ka ngecur në “Gjykatën e tenderëve”.

Lajme

21/08/2019 20:41

Qe mbi një vit, Ministria e Mbrojtjes po e mban peng tenderin për furnizim me ushqim për nevojat e FSK-së.

Që nga gjysma e vitit të kaluar, tenderi për furnizim me ushqim ka mbetur në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi ministria po vepron kundër vendimeve të këtij institucioni. Tenderi paraprak kishte skaduar në gjysmën e vitit të kaluar, dhe që nga ajo kohë, ministria që udhëhiqet nga Rrustem Berisha i AAK-së, i ka lidhur tri kontrata të ndryshme për furnizim me ushqim me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, shkruan lajmi.net.

Të tri kontratat e negociuara janë lidhur me kompaninë “Beni Dona”, ani pse ankesa e kësaj kompanie në OSHP, ka bërë që të stopohet tenderi i rregullt kornizë që është i paraparë për 36 muaj.

Shkeljet e njëpasnjëshme që një vit

Fillimisht me datë 16.04.2018, Ministria ka bërë ‘njoftim për kontratë’ të vlerës së madhe për “Shërbimet me ushqim ( furnizimi, përgatitja dhe servisim ) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-se”. Kohëzgjatja e marrëveshjes kornizë ka qenë 36 muaj.

Me datë 07.07. 2018 Ministria ka bërë njoftim për dhënie të kontratës, ku ka shpallur fitues kompanitë NTP Global Parajsa, Ciano Trading & Service, me çmim prej 7.211.000,00 euro.

Disa kompani janë ankuar në OSHP nën pretendimin për shkelje të ligjit. OSHP ka gjetur shkelje të ligjit, kur janë shpërblyer me tender, kompanitë e rekomanduara për kontratë, dhe e ka urdhëruar Ministrinë që tenderin ta kthejë në rivlerësim.

Me datë 03.09.2019, ministria e ka anuluar ‘njoftimin për dhënie të tenderit’, dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim. Me datë 25.10.2018, ministria ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’, ku ka shpërblyer me tender kompanitë e njëjta. Në OSHP-janë ankuar përsëri kompanitë e njëjta për pretendimin e njëjtë.

OSHP, ka gjetur se ministria ka bërë shkeljen e njëjtë dhe “Gjykata e tenderëve” ka lëshuar vendim të njëjtë, për rivlerësimin e tenderit. Ministria e ka kthyer lëndën në rivlerësim, dhe me datë 18 janar 2019  ka bërë  ‘njoftim për anulimin e tenderit’. Me datë 08 maj 2019 ministria ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’, ku me tender i ka shpërblyer kompanitë e njëjta. Para pak ditësh, ose saktë me datë 04 gusht 2019, OSHP ja ka lëshuar vendim që lënda të kthehet në rivlerësim dhe të respektohen vendimet e më hareshme të saj. Të njëjtën ditë, ministria e ka bërë njoftim për ‘anulimin e kontratës’.

Aktualisht, tenderi është në rivlerësim.

Megjithëkëtë, Ministria kishte shpallur fitues kompaninë “N.T.P Global Parajsa Ciano Trading & Servicies”, e cila ishte më e lirë për hiq më pak se 1.2 milionë euro, gjegjësisht 1.4 milionë euro se sa kompanitë konkurrente, “Beni Dona Plast” dhe NPT “Florenti & SoriAl shpk &KPL shpk & Ushqimi” sha nga Mitrovica,  OSHP e ka dërguar në rivlerësim këtë lëndë.

Eksperti i prokurimit të OSHP-së, kishte propozuar që njoftimi për dhënie të kontratës, ku fitues ishte Operatori Ekonomik,  “N.T.P Global Parajsa Ciano Trading & Servicies” nga MFSK të mbetet në fuqi.“Duke u bazuar në sqarimet e lartëpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesat e OE ankues të aprovohen si pjesërisht të bazuara (për arsyet që u cekën tek përgjigjet në pretendimet e dy ankesave), ndërsa duke pasur parasysh natyrën e aktivitetit të prokurimit si dhe ekonomicitetin, konsideroj se shkeljet e hasura në këtë aktivitet të prokurimit janë me devijime të vogla, andaj rekomandoj që njoftimi për dhënie të kontratës i AK të mbetet në fuqi”, thuhet në mendimin e ekspertit. Por, Paneli Shqyrtues kishte vendosur ndryshe.

Tri kontrata të reja të negociuara gjatë rivlerësimit të tenderit të hapur

Me datë 31.07.2018, Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me kompaninë “Beni Dona”. Kontrata ka qenë valide për 6 muaj dhe ka kapur vlerën 1.249.500,00 euro.

Me datë 1.02. 2019, prokurimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka nënshkruar kontratë të negociuar me kompaninë “Beni Dona”. Kontrata ka qenë valide për 6 muaj dhe ka kapur vlerën 1.275.600,00 euro.

“Bazuar në rrethana e krijuar njësi kërkues FSK, ka bërë kërkesë për zhvillimin e procedurave të prokurimit emergjente për ketë aktivitet të prokurimit për shkak të nevojave të domosdoshme qe të kemi kontratë në kontinuitet të vazhdueshëm pa ndërprerje për projektin “Furnizim, përgatitje dhe shërbim të ushqimit për nevoja urgjente të FSK-së dhe MFSK-së’’, sepse kontrata aktuale skadon me date 31.01.2019, dhe me qëllimin e vetëm dhe kryesor qe pjesëtarët e FSK-se dhe MFSKse të ushqehen me ushqim(mëngjes, drekë dhe darkë) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, sipas menysë së kontratës ekzistuese si dhe në përputhje me kushtet të njëjta të parapare në kontratën ekzistuese, me qellim qe pjesëtarët e FSK-se ti zhvillojnë normalisht të gjitha aktivitetet përputhje me detyrat ditore si dhe misionit kushtetues”, thuhet në arsyetimin e ministrisë i shënuar në dosjen e tenderit.

Ndërkohë, kontrata e fundit  e negociuar është nënshkruar me datë 31 korrik të këtij viti përsëri me kompaninë “Beni Dona”, me kohëzgjatje prej gjashtë muajve në vlerë prej 1. 275.600.00 euro.

Ministri e nënshkruan përkundër vendimit të Haradinajt

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj me datë 30 korrik ka mbajtur një takim me disa ministra të kabinetit qeveritar.

Lajmi.net kishte raportuar se gjatë këtij takimi, Haradinaj u ka thënë atyre se nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë asgjë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, përkundër këtij vitndimi, javë më parë ministri Rrustem Berisha është detyruar që të nënshkruaj kontratën e negociuar me kompaninë “Beni Dona”, pasi ky tender ka qenë i vlerës së madhe dhe tenderët me vlerë të madhe janë të detyruar që të nënshkruhen edhe ministrat.

Major Remzie Zeqira ka thënë për lajmi.net se në FSK furnizimi dhe shërbimet vazhdojnë te kryhen konform Ligjit për Prokurimin Publik, kushteve të kontratës dhe ligjeve të MM-së dhe FSK-së. Ajo nuk ka dashur të tregojë nëse këtë tender të negociuar e ka nëshkruar ministri, apo dikush tjetër. Po ashtu nuk ka dashur të flasë edhe nëse është shkelur ligji, kur janë realizuar tri kontrata të negociuar derisa në procedurë është një tender i njëjtë i hapur.

“Në FSK vazhdon të kryhet normalisht shërbimi për përgatitjen dhe servimin e ushqimit për pjesëtaret e FSK-se në të gjitha kazermat. Furnizimi dhe shërbimet vazhdojnë te kryhen konform Ligjit për Prokurimin Publik, kushteve të kontratës dhe ligjeve të MM-së dhe FSK-së”, tha Major Remzie Zeqira. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Haradinaj bllokon vendimet e ministrave, ushtarët e FSK-së rrezikohen të mbesin pa ushqim