Haradinaj bllokon vendimet e ministrave, ushtarët e FSK-së rrezikohen të mbesin pa ushqim

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka mbajtur një takim sot me disa ministra të kabinetit qeveritar.

Lajme

30/07/2019 13:53

Lajmi.net mëson se gjatë këtij takimi, Haradinaj iu ka thënë atyre se nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë asgjë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, mësohet se në mbledhjen e sotme të sekretarëve të përgjithshëm është marrë vendim që të mos dërgohen për nënshkrim dokumente dhe vendime tek ministrat.

Mosnënshkrimet nga ministrat pritet të bllokojnë disa procese në funksionimin e shtetit. Ndër to, janë procese që lidhen me nënshkrimin e vendimeve, kontratave të prokurimit, vendime për krijimin e komisioneve etj.

Më e keqja nga ky vendim, është se kontrata për furnizim me ushqim të ushtarëve të Ministrisë së FSK-së pritet të bllokohet, dhe nga kjo ushtarët rrezikohen të mbesin pa furnizim me ushqim.

Të hënën, Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit,  definimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë pas këtij akti.

Haradinaj dorëzon në Kushtetuese kërkesën për interpretimin e dorëheqjes

Ndërkohë subjektet politike në vend, pas dorëheqjes së Haradinaj janë shprehur të gatshme për zgjedhje të parakohshme, mirëpo ende janë duke e pritur vendimin e presidentit, Hashim Thaçi.

Kryeministri në dorëheqje pritet të takohet edhe nesër me disa ministra të tjerë. /Lajmi.net/