Shkelësit nuk do të amnistohen

Presidentja Atifete Jahjaga pret një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Ajo thotë se shkelësit eventual nuk do të amnistohen.

Lajme

30/11/2013 16:41

Presidentja Atifete Jahjaga e quan test përfundimtar për Kosovën procesin zgjedhor që do të zhvillohet nesër në 25 komuna të vendit.

Në një takim me përfaqësuesit e organeve të drejtësisë dhe të organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, Jahajaga u shpreh optimiste për një proces të mirë zgjedhor, pasi sipas saj, të gjithë mekanizmat janë përgatitur për të garantuar zgjedhje të lira.

“Kemi diskutuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale në këtë raund dhe posaçërisht për sigurinë e votuesve në zgjedhje dhe kemi vlerësuar se të gjithë mekanizmat janë të përgatitur për garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira dhe për suksesin e tyre”.

“Më 3 nëntor Kosova ka dëshmuar pjekurinë politike dhe nivelin e demokratizimit të shoqërisë. Kemi kaluar nëpër një test të rëndësishëm si shoqëri dhe si shtet, duke organizuar zgjedhje të mira, gjithpërfshirëse në të cilat qytetarët tanë kanë votuar lirshëm dhe pa frikë”.

“Zgjedhjet e 3 nëntorit, të mbajtura për herë të parë në tërë territorin e Kosovës, njëkohësisht kanë dëshmuar këmbngulësinë e tërë shoqërisë së Kosovës dhe seriozitetin e institucioneve të saj, për të garantuar ligjshmërinë dhe kushtetuetshmërinë  në gjithë territorin e vendit, përmes organizimit të zgjedhjeve të lira”.

E zgjedhjet e nesërme, Presidentja i cilëson si testin përfundimtar që Kosova duhet ta kalojë.

“Nesër është testi përfundimtar dhe ne duhet ta kalojmë atë”.

Jahjaga tha se nesër qytetarët mund të dalin të votojnë pa frikë sepse vota e tyre do t’u garantohet dhe do mbrohet me ligj dhe shkelësit e ligjit nuk do të amnistohen.

“Qytetarët e Kosovës, nesër sërish do të votojnë dhe ne duhet të sigurojmë që ata të kenë votim të lirë”.

“Duhet të garantojmë zgjedhje të qeta e demokratike, zgjedhje të ndershme dhe të drejta, ku vota e secilit qytetarë të jetë e paprekshme, e pacenueshme dhe e lirë”.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të votojnë pa frikë kudo, në secilën pjesë të vendit dhe vota do t’u garantohet”.

“Ligji do të zbatohet në rast të cenimit të votës së lirë dhe askush nuk do të amnistohet për shkeljen e së drejtës elementare të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Zgjedhjet e 1 dhejtorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabart”.