Shkarkohen dy agjentë të SHISH, kishin informacione sekrete në celular
Dy oficerë të Shërbimit Informativ Shtetëror janë shkarkuar nga detyra pasi në telefonat e tyre celularë u gjetën të fotografuara informacione dhe dokumente sekrete.
Lajme
Arrestimi i inspektorit Florian Bushi i cili i kishte dërguar përgjime sekrete një të dyshuari si vrasës me pagesë ka shkaktuar “tërmet” tek institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në vend.
Pas kësaj ngjarje, kontrolli i brendshëm ka nisur një inspektim tek të gjithë punonjësit e dyshuar për veprimtari të paligjshme. Kontrolli ka zbuluar edhe të paktën dy oficerë të tjerë që kishin të fotografuar në telefonat e tyre të dhëna që konsiderohen sekrete, shkruan ‘BoldNews’.
Gjithçka ka nisur pas një urdhëri të kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika për ndalimin e telefonave celularë në ambientet e punës. Por duket se ky urdhër nuk është zbatuar nga të gjithë punonjësit, pasi disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar telefonat në hyrje të SHISH, duke hedhur dyshime të forta për veprimtarinë e tyre.
Inspektorët kishin të fotografuar me telefonat e tyre celularë materiale sekrete. Ende nuk ka prova se këto të dhëna mund të jenë përdorur prej tyre, por SHISH kërkon hetimin e dy inspektorëve. Për dy të dyshuarit është marrë masa e shkarkimit nga detyra, ndërsa çështja pritet të merret në hetim nga Prokuroria e Tiranës.