Shifra shqetësuese, 10 raste të dhunës në familje për vetëm 24 orë

Dhuna në familje po vazhdon të jetë ndër fenomenet më shqetësuese në Kosovë.

Lajme

08/11/2021 09:36

Sipas raportit 24 orësh të policisë së Kosovës në 24 orët e fundit janë raportuar 10 raste të dhunës në familje të shpërndara në komuna të ndryshme të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu policia ka bërë të ditur se ndaj 9 personave në këto raste është caktuar masa e ndalimit për 48.

Rastet kanë ndodhur në qytetin e Lipjanit, Podujevës, Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit, Klinës, Gjakovës e Skenderajit.

Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha detajet nga policia e Kosovës:

· Lipjan, 07.11.2021 – 18:27. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se disa herë kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima pas intervistimit me kërkesën e saj ka shkuar te familja, kurse i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

· Podujevë, 06.11.2021 – 22:55. Dy viktimat femra kosovare, kanë pranuar tretman mjekësor pasi të njëjtat dyshohet se pas një mosmarrëveshje ishin sulmuar fizikisht nga babai i tyre i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet.

· Prishtinë, 05.11.2021 – 18:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili pas një mosmarrëveshje verbale e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën janë duke bashkëjetuar dhe kanë një fëmijë. Si pasoj e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, por nuk ka dashur të shkoj në strehimore. Pasi viktima nuk ndjehej e sigurt ka kërkuar urdhër mbrojtës. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjilan,  06.11.2021 -23:50. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare  e cila pas një zënke verbale që kishte pasur me bashkëshortin e saj  viktimën mashkull kosovar e kishte sulmuar fizikisht atë. Viktimës i është ofruar tretman mjekësorë, ndërsa e dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar  në mbajtje.

Prizren, 07.11.2021 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili pas një mosmarrëveshje verbale në gjendje të dehur i kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe djalin e tij, të dy viktimat kosovarë,  të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar  në mbajtje për 48 orë.

Klinë, 07.11.2021 – 20:40. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj  dy viktimave kosovarë. Sipas viktimave,  e dyshuara ka probleme psikike. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjakovë, 07.11.2021 – 13:36. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili nën ndikim të alkoolit ka tentuar ta sulmoj bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjakovë, 07.11.2021 – 15:15. Janë arrestuar  dy të dyshuar një femër dhe një mashkull kosovarë, për shkak se ishin rrahur mes vete. Si pasojë e rrahjes  të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Gjakovë , 07.11.2021 – 18:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili nën ndikim të alkoolit e kishte keqtrajtuar fizikisht vajzën e tij të mitur, viktimën femër kosovare, e cila si pasoj ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Skenderaj , 07.11.2021 – 16:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga vajza e saj me probleme shëndetësore, e dyshuara femër kosovare . E dyshuara me udhëzim të mjekut është dërguar në repartin e Neuropsikiatrisë në Prishtinë. /Lajmi.net/