Shembulli i Policisë së Kosovës

Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim në Universitetin e Oxford’it ku tha se Policia e Kosovës ka krijuar besueshmëri tek njerëzit, dhe se si institucion ajo nuk diskriminon askënd në bazë të fesë, gjinisë apo përkatësisë etnike.

Lajme

10/12/2013 10:54

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka rrëfyer audiencës së Universitetit të Oxford’it përvojën nga Kosova në themelimin e policisë së vendit.

Në konferencën “Sfidat e Qeverisjes 2013” të mbajtur në Shkollën Blavatnik të këtij universiteti ajo foli për shembullin e Kosovës në themelimin e policisë gjithëpërfshirëse.

Jahjaga duke përmendur se Kosova pasi doli nga lufta kishte nevojë imediate që të krijonte institucione shtetërore dhe për më tepër të krijonte besueshmëri të popullatës në këto institucione.

Ajo tha se formimi i Policisë së Kosovës- në të cilën edhe ajo vet ka shërbyer- është bërë mbi bazën e disa principeve themelore që do të mundësonin përfshirjen e të gjithëve.

“Gjatë rindërtimit të institucioneve të Kosovës ne po ashtu rindërtonim dhe besimin e njerëzve në këto institucione. Ne e dinim se do ta fitonim këtë besim vetëm me ofrimin e sigurisë dhe mundësive të barabarta, pa marrë parasysh etnicitetin dhe gjininë e tyre”.

“Gjatë muajve të parë të ekzistimit, ne kërkuam që të ndërtojmë besim dhe legjitimitet në forcën e policisë si institucion, duke adresuar dhe reflektuar mbi tre principet kryesore që garantonin përfshirjen në bazë të përmbajtjes dhe traditës së Kosovës, dhe me vizion në bazë të kushtetutës së saj: pajtimin politik, multietnicitetin dhe multikulturalitetin, dhe balancin gjinor”.

“Pasi që Policia e Kosovës ishte një nga institucionet e para të themeluara në vend, ishte më rëndësi që të tregonte shembull duke rekrutuar numrin më të madh të femrave në këtë shërbim”.

Mbi këto parime, thotë Jahjaga, Kosova ka mundur që të krijojë një forcë policore e cila ofron siguri për të gjithë- dhe mbi të gjitha Polica e Kosovës akoma qëndron mbi parimet mbi të cilat është ngritur, atë të gjithëpërfshirjes thotë Jahjaga.

“Ofrimi i sigurisë është çështje predominante posaçërisht tek shoqëritë të cilat janë duke kaluar nëpër transformime të mëdha, ato të cilat kanë ngelur në tranzicion dhe kanë tendenca për paraqitjen e fenomeneve negative”.

“Siguria të cilën forca e policisë ishte në gjendje ta ofrojë krijoi kushtet e nevojshme për pajtim në mes të komuniteteve të antagonizuara”.

“Kosova është e vendosur të qëndrojë fuqishëm mbi këto parime të përfshirjes. Ne jemi të dedikuar ta mbrojmë traditën tonë të gjatë të multikulturalizmit dhe tolerancës fetare”.

“Jemi të palëkundshëm në dhënien e të drejtave, mundësive dhe përgjegjësive të barabarta aksecilit qytetar. Dhe jemi të vendosur që të krijojmë një shtet në të cilin meshkujt dhe femrat kanë mundësi që ta realizojnë potencialin e tyre të plotë. Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se e kemi vendosur Kosovën – e kjo vlen për secilin shtet – në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe përparimit”.