Shefja e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve: Ky mision nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën
Shefja e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë, Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, nisi zyrtarisht misionin sot gjatë një konference për media në Prishtinë. Ajo njoftoi se, pas ftesës nga Presidentja Vjosa Osmani drejtuar BE-së për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, misioni do të shpërndajë në terren…
Lajme
Shefja e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë, Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, nisi zyrtarisht misionin sot gjatë një konference për media në Prishtinë.
Ajo njoftoi se, pas ftesës nga Presidentja Vjosa Osmani drejtuar BE-së për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, misioni do të shpërndajë në terren 18 vëzhgues afatgjatë të zgjedhjeve për t’i mbuluar të gjitha komunat e Kosovës.
Ekipi bazë i misionit prej nëntë analistësh filloi punën në fillim të këtij muaji kur arriti në Prishtinë më 8 janar.
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë moment me rëndësi për Kosovën, duke shfaqur pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës. Prania e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u lejuar votuesve të Kosovës të shprehin zgjedhjet e tyre. Kjo gjithashtu nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të fuqizuar më tej qeverisjen demokratike”, tha Loiseau, raporton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, ajo tha se do të shpërndahen në terren nëntë ekipe të vëzhguesve afatgjatë, që punojnë në çifte, meshkuj dhe femra, në mbarë Kosovën.
Sipas saj, ata do të vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje në të gjitha komunat. Ajo tha se vëzhguesit afatgjatë janë të rëndësishëm për misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të BE-së për të kryer një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor, në përputhje me metodologjinë standarde të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Vëzhguesit afatgjatë vijnë nga 18 shtete, përfshirë Shtetet Anëtare të BE-së, Norvegjinë dhe Zvicrën. U tha se ata janë vëzhgues të pavarur dhe të paanshëm dhe do të takojnë zyrtarë lokalë të zgjedhjeve, kandidatë dhe përfaqësues të partive politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Pak para ditës së zgjedhjeve, misioni do të përforcohet me 36 vëzhgues afatshkurtër, një delegacion deputetësh nga Parlamenti Evropian dhe deri në 36 diplomatë nga shtetet anëtare të BE-së, Kanada, Norvegjia dhe Zvicra, të akredituar në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet mbulim sa më i gjerë për Kosovën. Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Çka është EU EOM
EU EOM operon nën një kod sjelljeje i cili kërkon neutralitet të rreptë dhe mosndërhyrje. Misioni operon nën një mandat të veçantë dhe të dallueshëm nga ai i Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së në Kosovë. Misioni funksionon në përputhje me Deklaratën e Parimeve për Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve (verzioni në gjuhën angleze).
Vëzhguesit afatgjatë do të nisen në terren të dielën më 19 janar në orën 10:00 nga selia e Misionit në Prishtinë. Përfaqësuesit e mediave janë të mirëpritur ta përcjellin ngjarjen.
EU EOM do të nxjerrë gjetjet preliminare në një konferencë për media, dy ditë pas ditës së zgjedhjeve.