Shefi i UNMIK e çon në OKB çështjen e moszgjedhjes së Presidentit dhe sulmet ndaj gazetarëve

Shefi i UNMIK Peter Due, në raportimin e tij të parë në OKB, ka përmendur edhe çështjen e moszgjedhjes së Presidentit duke theksuar se shpreson se do të kapërcehen dallimet. “Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që…

Lajme

09/04/2026 17:49

Shefi i UNMIK Peter Due, në raportimin e tij të parë në OKB, ka përmendur edhe çështjen e moszgjedhjes së Presidentit duke theksuar se shpreson se do të kapërcehen dallimet.

“Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve,” ka theksuar ai.

Tutje, Due ka folur edhe për sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë duke bërë thirrje për “ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve, të lirë nga çdo formë presioni politik apo tjetër, si dhe për hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme penale të çdo sulmi ndaj tyre”.

Komunikata e plotë për media e dërguar nga UNMIK:

PSSP Peter Due bën thirrje për dialog të vazhdueshëm dhe ndërtim besimi gjatë raportimit të tij të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën

9 prill 2026 – Sot, gjatë raportimit të tij të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën që nga marrja e detyrës tre muaj më parë, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), Peter Due, paraqiti një përditësim mbi zhvillimet e fundit.

PSSP mirëpriti zgjedhjet legjislative paqësore dhe gjithëpërfshirëse të mbajtura në dhjetor, të pasuara nga konstituimi i shpejtë i Kuvendit dhe formimi në kohë i qeverisë, dëshmuan një trajektore stabiliteti dhe progresi. Megjithatë, procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës ende nuk ka përfunduar. “Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve,” tha ai.

PSSP-ja Due gjithashtu lavdëroi pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve në zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor, si dhe krijimin në kohë të administratave të qeverisjes lokale në të gjithë Kosovën. “Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida,” theksoi ai. “Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshem, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore.” Ai mirëpriti përpjekjet e fundit për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe udhëheqësve komunalë në veri.

PSSP-ja mirpriti gjithashtu progresin e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë përparimin në zbatimin e Ligjit për të Huajt. “Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt,” deklaroi ai.

Ai përsëriti thirrjen për bashkëpunim të plotë nga autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, me qëllim që përgjegjësit për Banjskë në vitin 2023 dhe për sulmet në Ibër-Lepenc në vitin 2024 të vihen para drejtësisë.

Duke vënë në pah se Kosova ka një aktivizëm dinamik qytetar, PSSP-ja bëri thirrje për ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve, të lirë nga çdo formë presioni politik apo tjetër, si dhe për hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme penale të çdo sulmi ndaj tyre.

Duke vënë në dukje shqetësimet e vazhdueshme të komuniteteve jo-shumicë lidhur me barazinë, qasjen në drejtësi dhe shërbime, lirinë e shprehjes dhe çështjet e ndjeshme të të drejtave pronësore, PSSP-ja theksoi se zbatimi i ligjeve për gjuhët dhe emërimi i një Komisioneri për Gjuhët janë thelbësorë për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.

Në përfundim, PSSP Due nënvizoi se ndërtimi i besimit mbetet prioritet për UNMIK-un, edhe përballë kufizimeve financiare. “Përmes angazhimeve të tij, Misioni synon të avancojë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe të rinjve në proceset politike, si pjesë e një përkushtimi më të gjerë për të nxitur një kulturë paqeje, ku pjesëmarrja është gjithëpërfshirëse, ku dëgjohen të gjithë zërat dhe ku çdo komunitet e sheh veten të përfshirë në rrugën përpara,” përfundoi ai.