SHBA-të do t’ia caktojë Turqisë rolin e saj në luftë kundër IS

20:04 | 8 Tetor 2014

SHBA-të do t’ia caktojë Turqisë rolin e saj në luftë kundër IS

Pas pak orësh do të merret vendimi për rolin që do të duhet të marrë Turqia, por edhe vendet e tjera në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS).

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thirrur kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, për të diskutuar lidhur me ngurrimin e Ankarasë për t’u përfshirë në luftë kundër militantëve islamikë IS pranë kufirit të saj me Sirinë, transmeton REL.

Qyteti Kobane gjendet afër kufirit me Turqinë, kurse shumica e banorëve të tij janë kurdë, të cilët po ballafaqohet me sulme të mëdha nga ana e militantëve të IS.

Si rrjedhojë, gjendja alarmante atje ka bërë që sot koalicioni ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA-të, të intensifikojë sulmet ajrore kundër militantëve.

Salih Muslim Muhammad, udhëheqës i lëvizjes kurde siriane PYD, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sulmet ajrore ndërkombëtare kanë shkatërruar tanke të militantëve të IS. Ai ka shtuar se këto sulme kanë ndihmuar kurdët në Kobane, por, sipas tij, ato nuk mjaftojnë dhe duhet vazhduar më tutje.

Shkaku i krizës në kufirin e saj, thirrjet ndaj Turqisë për këtë çështje janë shpeshtuar, kurse kurdët në Turqi janë ngritur në protesat masive dhe përl;eshje me policinë turke, nga të cilat kanë mbetur të vdekur së paku 14 civilë kurdë.

Presidenti francez, François Hollande i ka thënë presidentit turk Erdogan se ai mbështet idenë e Turqisë që të dërgohen trupa turke në kufi me Sirinë, për të mbrojtur banorët që po shpërngulen nga zona e luftës.

Megjithatë, edhe pse Erdogan e ka përmendur një gjë të tillë, Turqia vazhdon të refuzojë dërgimin e trupave të saj në veri të Sirisë.