SHBA paralajmërojnë pasoja të rënda për Turqinë

Pentagoni paralajmëroi “pasoja të rënda” për marrëdhëniet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, nëse Ankaraja do të blejë një sistem rus raketash tokë-ajër (S-400).

Bota

09/03/2019 11:16

“Nëse Turqia e merr sistemin S-400, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet tona ushtarake me ta”, u tha gazetarëve të premten zëdhënësi i Pentagonit Charlie Summers.

Zoti Summers tha se për pasojë Turqia do të humbiste mundësinë të merrte armatime ushtarake që SHBA-ja i shet këtij vendi, përfshirë dhe avionët e rinj luftarakë F-35, që priten prej kohësh të blihen nga Turqia.

“Nëse ata marrin S-400-n atëherë nuk do të marrin F-35-n dhe Patriots,” tha zoti Summers, duke iu referuar sistemit amerikan të raketave tokë-ajër “Patriots”, që ka si funksion parësor mbrojtjen kundër raketave balistike dhe është paraqitur si një alternativë ndaj sistemit rus të raketave S-400.

Në vitin 2017 Ankaraja nënshkroi një marrëveshje me Moskën për sistemin e raketave S-400. Në të njëjtën kohë, Turqia ka ndihmuar për financimin e programit F-35 dhe ka planifikuar të blejë 100 avionë nga SHBA-ja, pjesa e parë të cilëve është parashikuar t’i dorëzohet autoriteteve turke më vonë gjatë këtij viti.

Uashingtoni druhet se radari i sofistikuar i sistemit S-400 mund të kompromentojë teknologjinë F-35 që u prodhua për të shmangur sistemet ruse të raketave. Ankaraja këmbëngul se S-400 ofron vlerën më të mirë për nevojat e saj dhe nuk përbën kërcënim për sistemet e NATO-s.

Më parë këtë javë, kreu i Komandës amerikane në Evropë Curtis Scaparrotti u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë përpara me shitjen e F-35-s, nëse Turqia blen S-400-n.

Një ditë më vonë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëriti angazhimin e tij për blerjen e sistemit raketor rus dhe sugjeroi se do ta zgjerojë blerjen me një sistem më të avancuar rus, S-500.

Ankaraja pritet ta marrë sistemin S-400 më vonë gjatë këtij viti me shpresën që ta vendosë në përdorim deri në vitin 2020-n./Top Channel