Shala i LDK-së në Suharekë ndonëse shkoi në balotazh i pakënaqur me rezultatin: Kishte shitblerje votash, rezultatet nuk janë ato që i kemi pritur
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare, duke shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje. Ai ka thënë se qytetarët e kanë dhënë provimin e demokracisë, por këtë ka thënë se nuk mund ta thotë për disa aktivistë të…

Lajme
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare, duke shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje.
Ai ka thënë se qytetarët e kanë dhënë provimin e demokracisë, por këtë ka thënë se nuk mund ta thotë për disa aktivistë të caktuar të një subjekti politik.
“Kjo për shkak se kemi pranuar informacione për shitblerje votash dhe parregullsi të tjera, ndër të cilat është edhe rasti në qendrën e votimit në Sallagrazhdë, i raportuar nga Kallxo.com. Besoj dhe shpresoj se parregullsitë që kanë ndodhur jashtë qendrave të votimit, për të cilat jemi duke mbledhur prova që do t’i dërgojmë në PZAP dhe në Prokurori, e që kanë të bëjnë me blerjen e votave nga disa individë të caktuar, do të trajtohen me përkushtim dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi nga organet kompetente.”, ka shkruar Shala.
Ai ka thënë se rezultatet preliminare nuk janë ato për të cilat kanë punuar dhe i kanë pritur.
“Kam shumë arsye të besoj se, po të mos kishte pasur shitblerje votash dhe parregullsi të tjera, rezultati do të kishte qenë ndryshe. Rivalit tonë politik i uroj për rezultatin paraprak, i përshëndes edhe kandidatët tjerë ndërsa qytetarëve u them: rruga nuk përfundon këtu. Suhareka shkon në balotazh, dhe kjo është mundësia jonë e madhe për të treguar se ndryshimi i mirëfilltë është i mundur me punë, me vizion dhe me bashkim. Faleminderit secilit aktivist, çdo votuesi dhe çdo njeriu që besoi në një Suharekë më të drejtë, më të zhvilluar e më njerëzore. Kjo është garë për të ardhmen, jo për inat. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë me dinjitet, me kulturë dhe me besim në qytetarin e Suharekës. Vazhdojmë në balotazh me përkushtim edhe më të madh!”, ka shkruar Shala.