Shala: Dokumentet e privatizimit janë të ruajtura në arkivin e BE-së, s’janë shkatërruar

Ish-zëvendës drejtori i AKM-së, Ahmet Shala beson se nuk janë shkatërruar dokumentet e privatizimit në Kosovë në vitin 2008.

Lajme

26/10/2020 15:33

Kështu ish-ministri gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor lidhur me procesin e privatizimit duke hequr çdo dilemë se kanë humbur dokumentet gjatë djegieve të tyre më 2008, theksoi se të gjitha dokumentet e privatizimit janë të skanuara dhe të ruajtura në arkivin elektronik të Bashkimit Evropian.

“Të gjitha dokumentacionet janë të skanuara në mënyrë elektronike dhe janë të ruajtura në server të Unionit Evropian. Kështu se shqetësimi se kanë humbur dokumentet, nuk e di pse s’e kanë sqaruar. Kjo ka ndodhë në vitin 2008. Por, të gjitha dokumentacionet mund të jap një vlerësim të lartë të Unionit Evropian, çdo dokument ka qenë i skanuar dhe është i ruajtur në arkivin elektronik. Në qoftë se është djegur një dokument, kur do që Qeveria e Kosovës i kërkon do të duhet të ishin në dispozicion të institucioneve relevante të Kosovës. AKP-ja do të duhet të kërkonte nga Unioni Evropian qasje nën serverët të cilët janë të gjitha dokumentacionet. Nuk besoj që të dhënat janë shkatërruar”, ka thënë Shala.

Anëtari i Komisionit Sejdi Hoxha, tha se ky është lajm i mirë dhe se është dëshmi që nuk e pengon procesin e këtij hetimi të Komisionit Parlamentar për Privatizim.

“Besoj që është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët që ky informacion jepet për herë të parë që dokumentet mund të jenë të ruajtura edhe në formë elektronike. Kjo është një dëshmi që nuk e pengon procesin e hetimit të këtij Komisioni parlamentar”, theksoi Hoxha.

Deputeti Hekuran Murati ka pyetur Shalën për shitjen e fabrikës së Tubave në Ferizaj dhe po ashtu të Grand hotelit, si dhe Feronikelit në Drenas.

Deputeti Murati tha se Arian Hasani në pronësi të vetë ka pasur vetëm një banesë dydhomëshe dhe ka blerë fabrikën e Tubave 3.66 milionë euro në vitin 2007.

“Shitja e fabrikës së Tubave në Ferizaj ka ndodhë në vitin 2007 ofertuesi më i lartë ka qenë 3.66 milionë euro, ofertuesi i dytë ka qenë 200 mijë euro. Dy ofertues kanë dhe është marr vendim me shitë. A e dini kush ka qenë blerës? (Shala: Jo) Ka qenë Arian Hasani një punëtor i thjeshtë që në pronësi të vetë ka pasur një banesë dydhomëshe, mirëpo, AKM-ja ia ka shitur një aset në vlerë prej 3.66 milionë euro. Si ka ndodhur kjo pasi e lartësuat si proces që ka qenë gjithçka në rregull, por vetëm ka pasur dashakëqij që kanë fol keq?”, pyeti Murati.

Për këtë Shala tha se kushdo që ka konkurruar është dashur t’i kalojë kriteret teknike, dhe për këtë ka vendosur një departament brenda AKM-së.

“Sigurisht se në kriteret e konkurrimit kanë qenë kualifikimi teknik paraprakisht. Kush do që ka konkurruar është dashur t’i plotësoj kriteret teknike, po flas për Spin off special. Kush do qoftë që ka plotësuar atë kriter, ai e ka kaluar filtrin e kriterit. Unë nuk e vlerësoj, e ka vlerësua departamenti përkatës përbrenda AKM-së”, tha Shala.

Se nuk ka pasur korrupsion në procesin e privatizimit, Shalës nuk po i beson deputeti i AAK-së Bekë Berisha.

Deputeti Berisha e quajti Shalën “troftë” me pika të kuqe.

“Unë jam në politikë vet që prej pas luftës dhe besoj që ka pasur korrupsion aty ku ke qenë ti ani pse po thua që kanë qenë afër perfekt që nuk qëndron hiq. Ne kemi bërë Komision hetimor për atë proces, ti po del diqysh ‘troftë’ me pika të kuqe, që është mjaft jo normale për këtë punë”, theksoi Berisha.

Për këtë nuk pati reagim nga Shala, por vetëm me një buzëqeshje të lehtë, duke i thënë “ok”.

Gjatë intervistimit dy orësh në kuvend të ish-ministrit Ahmet Shala nga Komisioni Hetimor Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, deputetët insistuan të dinë se a ka qenë pjesë e PDK-së.

Pas pyetjes së deputetit të AAK-së, Bekë Berisha se si ka mundur të bëhet ministër në qeverinë Thaçi pa qenë anëtar i PDK-së, Shala duke mohuar se ka qenë anëtar i këtij subjekti, tha se në vitin 2000 në listën për zgjedhjet komunale, kishte garuar me një listë me PDK, por si kandidat i pavarur.

Derisa, foli për privatizimin e Telekomit, Shala tha ky proces është penguar nga politika, në parlament.

Ndërsa, intervistimi i ish anëtarit të Bordit të AKP-së Haxhi Arifi është shtyrë për një ditë tjetër, pasi nuk pati kuorum. /Kp