Sfarqa i LDK-së: Marrëveshja duhet të rikonfigurohet, Isa kryeministër

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, njëherit edhe kryetar i LDK-së në këtë komunë, ka thënë se marrëveshja e Bllokut LAN duhet të rikonfigurohet, ndërsa LDK duhet ta ketë parasysh që të mos sakrifikojë postet e rëndësishme. 

Lajme

31/10/2014 17:46

Sfarqa një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se lideri i partisë së tij, duhet të heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese këtë ja ka garantuar PDK-së.

Ai ka thënë se marrëveshja e Bllokut duhet të rikonfigurohet, dhe Isa Mustafa duhet të nominohet për kryeministër, e Haradinaj si njeri që njihet për sakrifica, të sakrifikojë edhe kësaj here duke u kënaqur me postin e zv.kryeministrit të parë.

Por për këtë propozim të tijj, ai ka thënë se duhet të merren vesh liderët.

Kjo sipas tij duhet të bëhet për ta shpëtuar vendin, por edhe marrëveshjen e LAN-it, e cila ka thënë se është në të mirë të vendit. 

“Blloku, për 5 muaj me radhe i ka rezistuar të gjitha presioneve, por fakti që një pjesë e marrëveshjes nuk mund të realizohet shkaku i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lideri ynë duhet të heq dorë nga kryeparlamentari”. 

“Duke pasur parasysh objektivat që i kanë bashkuar liderët e Bllokut, unë mendoj se Haradinaj është dëshmuar për sakrifica, e duhet ta dëshmojë edhe kësaj here. Të ruhet marrëveshja, por duhet rikonfigurimi i saj. LDK ka treguar konstitucionalizëm, por nuk duhet vazhduar kështu deri në infinit. Një rikonfigurim duhet të vijë për faktin se kjo marrëveshje nuk po mund të realizohet”.

“Kryeparlamentari duhet t’i lihet PDK-së se nuk ka asnjë alternativë tjetër. Edhe faktori ndërkombetar na ka thënë se nuk ka alternativë tjetër. Objektiva me të mëdha janë të ruhet kjo marrëveshje, për realizimin e një qeverisje të mirë. Ka mundësi që objektivat e kësaj marrëveshje të realizohen pa u dëmtu interesat e anjë partie”.

Sfarqa ka bërë të ditur se ditët në vazhdim do të hapet një debat i brendshëm në LDK, ku do të ketë diskutime për të reflektuar mbi situatën në vend, dhe mundësitë për gjetur ndonjë alternativë e cila do ta nxirrte vendin nga kjo situatë.

“Në të ardhmen do të hapet një debat edhe brenda LDK-së. As lideri ynë nuk e ka mandatin që t’i sakrifikojë të gjitha postet politike. Duhet të ketë një reflektim mbi situatën për ta rikonfiguruar marrëveshjen”. (lajmi.net)